Sa herë keni dalë nga një bisedë me ndjenjën se jeni të lodhur, të pakuptuar ose thjesht – “të zbrazët”?
Të gjithë kemi qenë në situata kur komunikimi thjesht nuk ecën, kur biseda sillet në rreth apo mbetet në sipërfaqe, pa thelb të vërtetë.
Autori australian dhe themeluesi i portalit “Hack Spirit”, Lachlan Brown, është pyetur gjatë pse disa biseda janë kaq zhgënjyese. Vetëm kur, siç thotë ai, hyri më thellë në botën e psikologjisë, kuptoi se gjithçka lidhet me modelet – temat që zbulojnë shumë më tepër për bashkëbiseduesin sesa ai vetë mendon.
Duke punuar me njerëz të ndryshëm, shkrimtarë, akademikë, sipërmarrës, Brown vuri re se disa tema përsëriten shpesh te personat që nuk e zhvillojnë mjaftueshëm kapacitetin e tyre emocional dhe intelektual. Ato nuk janë domosdoshmërisht të këqija, por mënyra dhe shpeshtësia me të cilat shfaqen mund të jenë tregues i përgjithësisë dhe sipërfaqshmërisë në komunikim.
Më poshtë, ai zbulon 7 tema që zakonisht tregojnë mungesë thellësie në bisedë dhe si t’i njihni tek vetja apo tek të tjerët, transmeton Telegrafi.
1. Thashethemet
Të gjithë ndonjëherë kemi prirje për thashetheme. Por nëse bisedat fillojnë dhe përfundojnë gjithmonë me histori për të tjerët, kjo mund të jetë shenjë se po shmangim temat e vërteta. Psikologët theksojnë se thashethemet e tepërta shpesh janë një mënyrë për të krijuar lidhje pa përpjekje, pa mendim, pa thellësi emocionale.
Biseda të tilla mund të duken të padëmshme, por me kalimin e kohës krijojnë atmosferë toksike dhe dëmtojnë marrëdhëniet. Njerëzit inteligjentë dhe empatikë zakonisht zgjedhin tema që nxisin reflektim dhe mendim, në vend që të flasin për jetët e të tjerëve.
2. Ankesat e vazhdueshme
Të gjithë kemi ditë të këqija, por nëse një bisedë me dikë gjithmonë merr ton ankues për punën, motin, jetën, ajo lodh si bashkëbiseduesin, ashtu edhe vetë folësin.
Brown kujton fjalët e psikologut Robert Holden: “Ruhuni nga varësia ndaj së ardhmes – nga ideja se lumturia është në punën tjetër, në partnerin tjetër, në vendin tjetër. Sa kohë që mendoni se lumturia është diku tjetër, ajo kurrë s’do të jetë aty ku jeni ju.”
Ankesat e vazhdueshme, thotë Brown, zbulojnë paaftësinë për të vlerësuar momentin e tanishëm. Në vend të kësaj, vlen që bisedat të orientohen drejt zgjidhjeve, mirënjohjes dhe asaj që mund të ndryshojmë.
3. Të folurit vetëm për veten
Të gjithë duam të ndajmë diçka nga jeta jonë, por nëse çdo temë përfundon me historinë tonë, është koha për vetëreflektim.
Brown sjell shembullin e një miku që çdo bisedë e kthente në monolog për sukseset e veta. Në fillim dukej frymëzues, por shpejt u bë i lodhshëm. Sipas tij, të flasësh shumë për veten nuk është shenjë vetëbesimi, por mungesë inteligjence emocionale, paaftësi për ta dëgjuar dhe kuptuar tjetrin. Balanca mes të folurit dhe të dëgjuarit është thelbësore për komunikim cilësor.
4. Fiksimi pas gjërave materiale
“Njerëzit me pjekuri emocionale më të ulët shpesh theksojnë atë që zotërojnë,” thotë Brown. Kjo mund të jetë makina, veshjet, telefoni më i fundit…
Edhe pse duket e padëmshme, hulumtimet tregojnë se ata që flasin shpesh për para dhe gjëra materiale zakonisht kanë vetëbesim më të ulët dhe janë më pak të kënaqur me jetën. Ato sende bëhen mënyrë për të fshehur ndjenjën e boshllëkut. Vlera e vërtetë, shton Brown, nuk matet me atë që kemi, por me aftësinë për të folur për gjëra me kuptim.
5. Të folurit negativisht për të tjerët
Kjo tejkalon thashethemet, është fjala për nënvlerësimin e të tjerëve dhe theksimin e mangësive të tyre. Brown kujton një koleg që në çdo fjali gjente diçka të keqe për dikë tjetër. Biseda të tilla janë të rënda dhe tregojnë mungesë inteligjence emocionale.
Njerëzit e pjekur e dinë se kritika konstruktive nuk është njësoj me hidhërimin dhe se mbështetja ndaj të tjerëve është shumë më e fuqishme sesa kritika.
6. Teoritë e konspiracionit
Të gjithëve na pëlqen një mister i mirë, por fiksimi i tepërt me teori konspirative shpesh tregon mungesë mendimi kritik.
Brown përmend një mik që mund të fliste me orë të tëra për “të vërtetat e fshehura” dhe “planet sekrete”. Në fillim dukej interesante, por shpejt u bë rraskapitëse. Sipas tij, besimi i verbër në histori të tilla shpesh vjen nga nevoja për të gjetur rend në kaos, por në të njëjtën kohë tregon mungesë të arsyetimit logjik dhe frikë nga përballja me faktet.
7. Shmangia e temave të thella
Paradoksalisht, shumë njerëz shmangin bisedat serioze dhe emocionale — sikur ndihen në siklet kur duhet të hapen. Por shmangia e temave të sinqerta për emocionet, frikërat, vlerat dhe përvojat jetësore është shpesh shenjë pasigurie, jo stabiliteti.
Inteligjenca e vërtetë dhe pjekuria emocionale shfaqen në aftësinë për të folur për gjërat që nuk janë të lehta, për ato që na prekin, na lëndojnë, na ndryshojnë. Secili prej nesh ndonjëherë bie në biseda që janë sipërfaqësore, plot ankesa apo thashetheme. Çelësi është t’i njohim dhe të përpiqemi t’i ndryshojmë.
“Vetëdija është hapi i parë,” përfundon Brown. “Kur bëhemi të vetëdijshëm për mënyrën si flasim, bëhemi bashkëbisedues më të mirë dhe, si rezultat, njerëz më të mirë.” /Telegrafi/