Bilalli-Zendeli: VLEN po shkon drejt shpërbërjes, Mickoski e di që BDI-në nuk mund ta përdorë si vasal

Bilalli-Zendeli: VLEN po shkon drejt shpërbërjes, Mickoski e di që BDI-në nuk mund ta përdorë si vasal

Arta Bilalli-Zendeli nga Aleanca Kombëtare për Integrim tha sot në press-konferencë se kreut i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski është në gjendje paniku pasi politika anti-shqiptare nuk do të mund të realizohet pas 19 tetorit.

Bilalli-Zendeli tha se koalicioni VLEN po shkon drejt shpërbërjes.


Reagimi i plotë:

“Deklaratat e fundit të Hristijan Mickoskit janë dëshmia më e qartë e panikut të tij para 19 tetorit. Kur një lider politik humb gjakftohtësinë dhe shpik skenarë imagjinarë për koalicione që nuk ekzistojnë, kjo do të thotë vetëm një gjë: ai e di se disfata dhe mosrealizimi i planeve antishqiptare po i trokasin në derë. E vërteta është e thjeshtë: projekti i tij i quajtur VLEN është në rënie të lirë dhe më 19 tetor do të pësojë një debakël të vërtetë. Në vend që të flasë për vizion dhe program, Mickoski merret me trillime dhe përpiqet të shpikë skenarë për të zgjedhur ai vetë përfaqësuesit e shqiptarëve. Por qytetarët e dinë mirë: shqiptarët janë të bashkuar për barazi dhe dinjitet, ndërsa vegla e tij politike – VLEN-i po fundoset çdo ditë e më thellë. Pyetjet që Mickoski nuk guxon t’i prekë: Pse Mickoskit i pengon aq shumë BDI? Mos vallë sepse e di që BDI-në nuk mund ta nënshtrojë dhe ta shndërrojë në vasal? Pse LSDM nuk ka kandidatë aty ku nuk garon OBRM-PDUKM, si në Çair, Tetovë, Gostivar e Strugë? A nuk është kjo dëshmi se OBRM-PDUKM dhe LSDM po zbatojnë një plan të përbashkët për asimilimin politik të shqiptarëve dhe vazhdimin e projektit degradues me vasalët e VLEN-it? A mendon Mickoski se mund të caktojë vetë përfaqësuesit e shqiptarëve, duke i reduktuar në figurantë të skenës së tij politike? Pse u shfaq aq i brengosur në Kuvend kur tha se plani i BDI-së qenka që ‘mos të lejohet maqedonasit të zgjedhin kush do të udhëheqë me komunat shqiptare? Realiteti është se Mickoski e ka kuptuar se BDI nuk eliminohet dot. Sepse BDI nuk është thjesht parti – është organizimi politik i shqiptarëve, themeli i barazisë dhe arkitekti i arritjeve më të mëdha të këtij vendi: Marrëveshja e Ohrit, anëtarësimi në NATO, negociatat me BE, të drejtat gjuhësore e institucionale. Çdo fjalë e tij për ‘eliminim’ është, në fakt, thirrje për të eliminuar zërin politik të shqiptarëve. Kjo është retorikë e rrezikshme nacionaliste – ajo dështoi në vitin 2001 dhe do të dështojë përsëri”.Fatkeqësisht në këtë lojë të tij, VLEN-i ka pranuar të bëhet vegël, madje një vegël e vogël e Mickoskit. Me këtë rol vasali, ata po përgatisin terrenin për rikthimin e ‘botës serbe’ përmes OBRM-PDUKM-së. Por le ta dinë: me vasalë nuk ndërtohet as stabilitet, e aq më pak shtet. Më 19 tetor shqiptarët do të japin përgjigjen më të fuqishme: do të rrëzojnë projektin e rrezikshëm të Mickoskit dhe do ta vjen deri te shpërbërja e VLEN-it.”