Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar Rama 4 u betuan të premten në Presidencë, një ditë pasi u votëbesuan në Parlament vetëm me votat e mazhorancës.
Mbas ceremonisë së betimit, ministrat e rinj të kabinetit qeveritar kanë realizuar foton zyrtare në ambientet e jashtme të Presidencës.
Pas fotos zyrtare, ministrat janë nisur në këmbë drejt Kryeministrisë ku do kenë mbledhjen e parë të qeverisë.
Ceremonia nisi në ambientet e Presidencës që në orën 10:00 me nderimin e himnit kombëtar.
I pari u betua, me dorën mbi kushtetutë, kryeministri Edi Rama.
Pas tij zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrja e Jashtme Elisa Spiropali dhe me radhë të 16 ministrat e rinj të kabinetit Rama në mandatin e katërt qeverisës të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. /euronewsalbania/