Beteja e Shavarinës, faqja e lavdishme e historisë së UÇK-së

Beteja e Shavarinës, faqja e lavdishme e historisë së UÇK-së

Më 22 shtator 1998, në Shavarinë të Drenicës, u zhvillua një nga betejat më të ashpra dhe më të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Brigada 114, e udhëhequr nga Komandanti Fehmi Lladrovci, u përball me një ofensivë të madhe serbe, ku morën pjesë mijëra ushtarë, tanke, autoblinda dhe artileri e rëndë. Përballë kësaj, qëllimi ishte shuarja e rezistencës shqiptare.


Në krah të Fehmiut, përveç bashkëshortes dhe bashkëluftëtares së tij, Xhevë Lladrovci, dhe dëshmores Fatime Hetemi, qëndronin edhe dhjetëra luftëtarë të rinj. Ndër ta ishte edhe Islam Krasniqi-Karaqica, i njohur si “Mësuesi Islam”, i cili ishte emëruar më herët nga vetë Fehmi Lladrovci si zëvendëskomandant për moral.

Ai ishte një nga figurat që mbante të gjallë besimin dhe guximin e ushtarëve, duke u folur me vendosmëri dhe duke i motivuar në momentet më të vështira.

Strategjia e komandantit dhe roli i Mësuesit Islam

Fehmi Lladrovci kishte përgatitur terrenin dhe planin e mbrojtjes me javë të tëra.

Ai zgjodhi pozicionin strategjik te “Guri i Gradinës”, prej nga mund të komandonte fushëbetejën dhe të ndihmonte me zjarr snajperi. Në atë ditë, snajperi i tij i fuqishëm eliminoi dhjetëra ushtarë serbë, duke dëshmuar se edhe me mjete të kufizuara, rezistenca shqiptare ishte e pathyeshme.Në anën tjetër, Mësuesi Islam ishte i angazhuar në pozicionet e Shavarinës, ku së bashku me luftëtarët e rinj organizoi mbrojtjen dhe mbajti gjallë moralin.

Ai kujton fjalët e fundit të Fehmiut para betejës: “Na erdhi dita me luftue. Jepu gajret ushtarëve, se janë të rinj dhe është lufta e parë për ta. Nëse jemi të vendosur kemi me i zbrapsur forcat serbe.

Përballja e pabarabartë

Beteja filloi me bombardime të ashpra. Tanke dhe këmbësoria serbe tentuan tri herë të depërtonin, por u zmbrapsën nga mortajat dhe mitralozët e luftëtarëve të UÇK-së. Në një moment kritik, një njësi speciale serbe arriti të afrohej deri në 50 metra, duke shfrytëzuar një kanal të Feronikelit. Por vigjilenca e luftëtarëve dhe udhëheqja e Mësuesit Islam dhe Shaban Berishës bënë që forcat serbe të zbuloheshin dhe të goditeshin fuqishëm, duke pësuar humbje të rënda.

Në vijën e parë, krahas Fehmiut, Xhevës dhe Fatimes, qëndronin edhe shumë luftëtarë të rinj, ndër ta edhe dëshmorët Kadri Karaqica e Muhamet Dervishi. Vendosmëria e tyre e mbajti të paprekur vijën mbrojtëse, pavarësisht granatimeve të pandërprera dhe masakrave që armiku kryente ndaj popullsisë civile.

Epilogu i betejës

Pas më shumë se shtatë orësh përleshje të pandërprerë, forcat serbe u tërhoqën duke lënë pas të vrarë dhe mjete të shkatërruara. UÇK-ja jo vetëm që mbajti pozicionet, por arriti të dëshmojë se morali dhe organizimi ishin armët më të fuqishme përballë një ushtrie të pajisur me teknologjinë më moderne.Beteja e Shavarinës la gjurmë të thella në historinë e luftës.

Heroizmi i Fehmi Lladrovcit dhe Xhevës, guximi i Fatime Hetemit, sakrifica e dhjetëra dëshmorëve dhe kontributi i Mësuesit Islam, i cili u kujdes për forcimin e moralit dhe unitetit, e bënë këtë ngjarje një moment të artë të qëndresës shqiptare.

Ky qëndrim heroik dëshmonte se UÇK-ja nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por një lëvizje me vlera morale e kombëtare, ku çdo luftëtar, nga komandanti deri te ushtari më i ri, kishte një rol vendimtar.

Protofolio/ Islam Krasniqi-Karaqica