Besnik Osmani: Fushë Kosova përfiton nga nisma e gjelbër, gjashtë shkolla me panele solare

Besnik Osmani: Fushë Kosova përfiton nga nisma e gjelbër, gjashtë shkolla me panele solare

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Fushë Kosovë, Besnik Osmani, ka marrë pjesë në punimet e Forumit të Kryetarëve të Gjelbër, që nisi sot në Shqipëri.

Në këtë forum u mblodhën kryetarë komunash, përfaqësues vendorë, drejtorë shkollash, mësues dhe nxënës, me qëllim të themelimit të Aleancës së Kryetarëve të Gjelbër.


Forumi synon të krijojë një platformë të përbashkët për lidershipin lokal, përafrimin e strategjive të zhvillimit dhe sigurimin e burimeve për tranzicionin e gjelbër.

Osmani ka bërë të ditur se Komuna e Fushë Kosovës tashmë ka përfituar panele solare për gjashtë shkolla, të cilat janë instaluar.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme ne bëhemi pjesë e një nisme të madhe, që sjell përfitime serioze për agjendën e gjelbër,” tha ai.

Sipas tij, Aleanca e Kryetarëve të Gjelbër do të shërbejë si një trampolinë për bashkëpunim më të fuqishëm mes komunave, duke garantuar rol aktiv dhe të qëndrueshëm të pushtetit lokal në këtë rrugëtim të përbashkët.