Mesfushori shqiptar nga Kosova, Besfort Zeneli, ka bërë hapin më të madh në karrierën e tij duke nënshkruar kontratë afatgjatë me kampionin e Belgjikës, Union Saint-Gilloise.
Zeneli, 23 vjeç, i bashkohet Unionit me efekt të menjëhershëm nga klubi suedez Elfsborg dhe ka firmosur kontratë që zgjasin deri në qershor të vitit 2030.
I rritur dhe formuar në akademinë e Elfsborgut, Zeneli u dallua që në moshë të re si një lider natyral. Në vitin 2021, ai pati një sezon të jashtëzakonshëm me ekipin U19, ku si kapiten shënoi 19 gola në vetëm 16 ndeshje.
Debutimin në Allsvenskan e bëri në shtator të vitit 2022, ndërsa në vitin 2024 u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të ekipit të parë të Elfsborgut.
Sezonin e fundit, Zeneli mbante rregullisht shiritin e kapitenit te Elfsborg, klub me të cilin regjistroi gjithsej 93 paraqitje, duke realizuar 5 gola dhe dhënë 15 asistime. Elfsborg e mbylli sezonin në vendin e tetë në kampionatin suedez.
Besfort Zeneli është vëllai i Arbër Zenelit, ish-yllit të Kombëtares së Kosovës, i cili ka shkëlqyer dikur me fanellën e “Dardanëve”. Ndryshe nga Arbëri, Besforti ka zgjedhur të përfaqësojë Suedinë në nivelin A, pas paraqitjeve me Kosovën U21. Ai ka regjistruar deri më tani 5 paraqitje me kombëtaren suedeze, debutimin e së cilës e bëri më 22 mars 2025 ndaj Luksemburgut.
“Pas bisedës së parë me drejtuesit e Unionit, i thashë menjëherë agjentit tim se doja të vija këtu. Është një klub familjar, por në nivelin më të lartë”, ka deklaruar Zeneli për faqen zyrtare të klubit belg.
Te Union Saint-Gilloise, mesfushori kosovar do të mbajë fanellën me numrin 23.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


