Besa Famgas ka kaluar me sukses në raundin e dytë të Kupës Evropiane, pasi eliminoi ekipin turk, Depsas Enerji.
Pas fitores 38:34 në ndeshjen e parë të zhvilluar të dielën e kaluar në Pejë, pejanët arritën të menaxhojnë avantazhin edhe pse të shtunën në Ankara u mposhtën ngushtë me rezultat 30:28, në një përballje shumë të fortë dhe dramatike deri në fund.
Kualifikimi u sigurua në minutat e fundit, falë vendosmërisë dhe efikasitetit të skuadrës pejane. Protagonisti kryesor i ndeshjes ishte Ahmed Khamis Hosni Hamed, i cili shkëlqeu me 11 gola të realizuar.
Besa Famgas
Denis Terziqi dhe Amr Ali Ayan kontribuuan me nga 5 gola secili, ndërsa Enis Kuleta shtoi 3 të tjera. Jon Vokshi shënoi 2 herë, kurse Amar Muqolli dhe Olt Kabashi nga një gol.
Portieri Olt Kabashi u dallua gjithashtu me 10 pritje vendimtare, duke ndihmuar ekipin të sigurojë kualifikimin në raundin tjetër të garës evropiane. /Telegrafi/