Eksperti i Kushtetutës, Mentor Beqiri, e ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e kuvendit, për të cilin tha se më shumë mund të shihet si sqarim i aktvendimit që Gjykata Kushtetuese e ka nxjerr më 26 qershor.
Beqiri tha se Gjykata Kushtetuese, përmes aktgjykimit të fundit e ka trasuar rrugën dhe procedurat që duhet ndjekur për konstituimin e kuvendit.
“Përmes këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtetuese e ka trasuar rrugën dhe procedurat që duhet ndjekur për konstituimin e kuvendit, duke i bërë me dije edhe afatet kohore që ekzistojnë, siç është afati 30 ditor”.
“Nga ajo që unë kam parë është se ky afat ka qenë një interpretim i frymës kushtetuese, pasi Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpikë rregulla të reja, por përveç interpretimit tekstual të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë dhe ka përgjegjësi të bëjë interpretim të frymës kushtetuese”, tha Beqiri në Edicionin Special në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se edhe në aktgjykimin e ri ekziston një boshllëk juridik, pasi Gjykata Kushtetuese s’e ka sqaruar se çka ndodhë në rast se subjekti i parë, Lëvizja Vetëvendosje, s’arrin t’i sigurojë votat për kryetar kuvendi.
“Fatkeqësisht nuk kemi një shpjegim nga Gjykata Kushtetuese se çfarë ndodhë pas 30 ditësh nëse subjekti i parë dështon t’i sigurojë 61 vota për secilin nga kandidatët të tyre për kryetar të kuvendit”, tha ai.
The post Beqiri: Kushtetuesja e ka trasuar rrugën për konstituim appeared first on Klan Kosova.