Shkrimtari Ben Blushi ka rrëfyer një histori personale të 9 dhjetorit 1990, ditën kur studentët e Qytetit Studenti nisën protestën që do të sillte pluralizmin politik në Shqipëri.
Në një shkrim reflektues dhe emocional, Blushi përshkruan përvojat e tij të para me demonstratat, jetën në Shqipërinë komuniste dhe mënyrën sesi rrëzimi i atij sistemi i ndryshoi jetën.
“35 vjet më parë në 9 dhjetor 1990 në mëngjes po shkoja në Fakultetin ku studioja kur pashë për herë të parë një protestë. Ishin rreth 200 studentë që kishin zbritur nga konviktet e Tiranës dhe kishin bllokuar rrugën e Elbasanit. Ne qëndruam në kryqëzimin e Liceut për disa orë pa lëvizur, derisa dikush shtiu me armë në ajër dhe u shpërndamë me vrap pa ditur ku do shkonim. Ato ditë kishte rënë shi pa pushim dhe shumë prej atyre që vrapuan për t’i ikur policisë ju mbetën këpucët në baltën mes ambasadës italiane dhe amerikane”.
“Kjo është metafora më e dhimbshme e Shqipërisë së asaj kohe. Shqipëria Komuniste ishte një fushë me baltë në mes të Perëndimit. Balta ishte simboli i zhytjes, kurse këpucët simboli i lirisë për t’i ikur zhytjes. Për fat unë arrita t’i shpëtoj këpucët e mia të shtrembra të cilat më çuan në një shtëpi të panjohur ku mbeta derisa policia iku dhe rruga u hap. Të nesërmen shkova në Qytetin Studenti si qindra studentë që për katër ditë bënë të mundur diçka që e kisha menduar të pamundur. U vendos që Shqipëria të kishte më shumë se një parti politike dhe në ditën e katërt kjo parti u krijua”, kujtoi ai.
Shkrimtari përshkruan kontradiktat e brendshme që e shoqëruan atë moment. Edhe pse vinte nga një familje komuniste, me gjysh partizan, gjysh tjetër punëtor, prindër të edukuar nga sistemi, ai tregon se jeta e përditshme ishte plot mungesa, radhë, varfëri dhe kufizime.
Si fëmijë, zgjohej në orën katër të mëngjesit për të blerë gjalpë, ndërsa verat i kalonte me shtatë persona në një dhomë të vogël në Korçë.
“Kur isha dhjetë vjeç çohesha në ora 4 të natës për të blerë një gjysmë pako gjalpë që e kisha aq qejf dhe një shishe qumësht që nuk e pija.
“Pasdite mbaja radhë për të blerë vajgurin me erë peshku që ndizte sobat ku thaheshin rrobat, bashkë me lagështinë e këpucëve që kapeshin me gozhdë. Shkoja në plazh me tren dhe tre muaj jetoja te gjyshërit e mi në Korçë bashkë me shtatë veta në një dhomë e një kuzhinë”.
Megjithatë, një privilegj e shoqëronte: mundësia për të lexuar libra të ndaluar në shtëpi, një dritare lirie në një realitet të mbyllur.
“Privilegji më i madh që kam patur ishte se mund të lexoja libra të ndaluar që ishin me shumicë në shtëpinë time. Veset e adoleshencës i kisha të gjitha me tepri dhe kënaqësia që merrja nga mosndëshkimi i tyre më dukej si shkalla më e lartë e disidencës. Unë nuk jetoja mirë por nuk jetoja keq. Për të gjitha këto arsye unë nuk kisha shumë arsye të shkoja në Qytetin Studenti në 9 dhjetor 1990”.
Në përfundim të rrëfimit, Blushi shprehet se rënia e komunizmit e shpëtoi nga një jetë e paracaktuar. Nga një mësues i caktuar për në Iballë të Pukës, u bë një njeri i lirë.
Ai shpreh bindjen e tij se komunizmi si sistem ka marrë fund në dhjetor 1990, edhe pse komunistë mund të ketë ende.
“Problemi i Shqipërisë sot nuk janë komunistët as demokratët. Problemi i Shqipërisë janë idiotët. Dhe idiotët mund të jenë edhe komunistë, edhe demokratë, sepse janë idiotë.”
Shkrimin e plotë të Blushit mund ta lexoni më poshtë:


