Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është nisur sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Kryesues i delegacionit shqiptar që do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që zhvillohet në Nju Jork, nga 22 deri më 27 shtator 2025.
Sipas një njoftimi nga Presidenca e Shqipërisë, gjatë kësaj jave, Presidenti Begaj do të mbajë fjalën e tij në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë, ku do të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë mbi çështjet kryesore, duke përfshirë:
“Paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, multilateralizmin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e njeriut.”
Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Kreu i Shtetit do të marrë pjesë në aktivitete shumëpalëshe, si dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë dhe përfaqësues të lartë të OKB-së.
Gjithashtu, një tjetër pjesë e rëndësishme e agjendës së Presidentit Begaj do të jenë takimet me përfaqësues të Diasporës shqiptare në SHBA dhe vizitat në shkolla ku fëmijët e Diasporës mësojnë gjuhën amtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!