Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj pas takimit me homologun letonez, Edgars Rinkevics u shpreh se trupat letoneze në KFOR, sipas tij, janë dëshmi e solidaritetit tonë të ndërsjellë.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj ka ndarë edhe disa pamje nga takimi me presidentin letonez.
“Mikprita sot në Tiranë Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkevics. Prania e trupave shqiptare në grupin e përparuar të NATO-s në Kampin Adazi, në Letoni, ashtu si edhe pjesëmarrja e trupave letoneze në misionin e NATO-s, KFOR, janë dëshmi e qartë e solidaritetit tonë të ndërsjellë”, shkroi tutje ai.
Ndryshe, provokimet e dronëve rusë duke shkelur hapësirën ajrore të disa vendeve të NATO-s, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, i cilësuan si një luftë hibride dhe psikologjike për të testuar Aleancën.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, presidenti Rinkevics paralajmëroi se provokimet ruse bëhen për të devijuar mbështetjen ndaj Ukrainës. Ai tha se nëse këto vazhdojnë, nuk përjashtohet një reagim edhe më i fortë nga NATO-ja.
“Kur bëhet fjalë për provokimet ruse, tregon se Rusia po intensifikon një lloj lufte hibridë dhe kjo bëhet për të testuar NATO-n dhe për të tërhequr vëmendjen nga mbrojtja jonë dhe për të dhënë më pak mbështetje për Ukrainën. Këto lloj provokimesh shkaktojnë shqetësim tek njerëzit dhe ky është një luftë nervash dhe psikologjike. Nga ky këndvështrim kemi pasur edhe në të kaluarën shkelje të hapësirë ajrore edhe para luftës. Nëse NATO ka reaguar si duhet? Unë mendoj Po. Na duhet të transformojmë mision ajror, na duhen sisteme antidron dhe na duhet të kemi një mesazh të fortë për Rusinë se nëse kjo vazhdon forca jonë do të jetë opsion. Duhet të përgatitemi edhe për një përgjigje më të egër dhe më të fortë krahasuar me atë që ka kaluar gjatë këtyre dy javëve të fundit”, tha Rinkevics.
Nga ana e tij, Presidenti Begaj tha se provokimet e Rusisë përbëjnë kërcënim në rritje për sigurinë euro-atlantike, por NATO-ja ka reaguar me maturi dhe forcë.
“Provokacionet e Rusisë janë një kërcënim në rritje për sigurinë euro-atlantike dhe NATO ka reaguar me maturi strategjike dhe ka treguar unitet dhe forcë. Patjetër që Shqipëria është kontributore në këtë Aleancë, ku kemi prani trupash në kahun Lindor prej disa vitesh. Do të rrisim kontributin tonë duke rritur buxhetin për mbrojtjen, modernizimin e ushtrisë dhe rivitalizimin e saj për të forcuar kapacitetet mbrojtje ajrore, tokësore dhe detare dhe do të kontribuojmë për sigurinë tonë të përbashkët”, u shpreh Begaj.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe misioni i trupave shqiptarë në kuadër të NATO-s, në bazën në Letoni, ku presidenti Rinkevics tha se i shërben sforcimit të sigurisë dhe krahut Lindor.
Presidenti letonez theksoi se Aleanca duhet të tregohet më vigjilente në një kohë kur paqja dhe siguria është kaq e brishtë.
“Diskutuam edhe për sigurinë për situatën në Ballkan dhe Ukrainë dhe dua të theksoj që ne jemi mirënjohës për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës dhe kontributin e saj në mbrojtjen kolektive. Provokimet në hapësirën ajrore të NATO-s tregon që duhet të jemi vigjilentë. Ne mbështesim vendimet e Aleancës për të vendosur dy qendra në krahun Lindor. Trupa tonë në KFOR do të vijojnë misionin dhe do të diskutojmë zgjatjen këtij misioni deri në dhjetor të 2027”, tha Rinkevics.
Edhe presidenti Begaj theksoi angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen kolektive, në një kohë kur Rusia vijon provokimet e saj.
“Rusia vijon aktet provokative me shkeljen e hapësirës ajrore në disa vende të NATO-s, çka na bën më të vendosur dhe të bashkuar për një përgjigje të përbashkët. Shqipëria është e angazhuar në mbrojtjen kolektive dhe përkrahjen e Ukrainës”, tha Begaj.
Gjithashtu, gjatë takimit u bisedua edhe për marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për situatën në Ballkanin Perëndimor, dhe në rajonin baltik.
Vizita e presidentit të Letonisë në Tiranë pason atë të Presidentit Begaj në Riga vitin e kaluar, e cila ishte vizita e parë shtetërore e një presidenti shqiptar në tri vendet baltike.