Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese komentet e tij lidhur me rrëzimin e dekretit për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Tiranës.
Përmes shkresës, Begaj kërkon nga ana e Gjykatës Kushtetuese shpalljen e moskompetencës lidhur me dekretin, të rrëzojë ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij dhe të urdhërojë KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës.
“Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë menjëherë mungesën e kompetencës për shqyrtimin e dekretit nr. 350, datë 1.10.2025, të heqë menjëherë pezullimin që ka vendosur mbi dekretin dhe të çlirojë Institucionin e Presidentit të Republikës nga statusi i palës së interesuar, sepse dekreti i Presidentit të Republikës nuk mund të jetë objekt shqyrtimi në këtë çështje. Përndryshe, procedura mund të kryhet deri në fund, por do të jetë deri në fund antikushtetuese.”, thuhet më tej në shkresë, shkruan Klan TV.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese që do të shqyrtojë çështjen e shkarkimit nga detyra të Erion Veliajt, do të mbahet më datë 31 tetor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!