Këto janë vetëm disa prej qindra rrëfimeve të grave të cilat ndanë historitë e tyre në një pyetësor online.
E këtë të fundit e realizuan Grazeta, platformë online feministe e themeluar në shtator të 2020-ës, nga kombinimi i fjalëve “Gra” dhe “Gazeta”.
Raporti, i cili ka për qëllim të shpalosë eksperienca të grave në repartet e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, nisi grumbullimin e të dhënave në dhjetor të 2024-ës e tek në tetor të 2025-ës ka gjasa të finalizohet.
E gjendja në këto reparte, sipas Eurisa Rukovcit, themeluese e Grazetës, në bazë të rrëfimeve të grave nuk është aspak normale.
E madje situata hiç më mirë thotë që nuk është as në klinikat private sa i përket trajtimit të grave lehona.
Sipas Rukovcit, në bazë të rrëfimeve që gratë ndanë me të, janë evidentuar raste të ndryshme të trajtimit jo dinjitoz.
Duke nisur nga procedurat pa leje e deri te abuzimi fizik.
Rukovci para kamerës së Kiks Kosovës ndan edhe disa raste për të cilat thotë që edhe vet ajo u emocionua shumë teksa i lexonte.
Njëra ndër gratë, rrëfeu historinë se si u detyrua të lind vet foshnjën që i kishte vdekur në bark, e një tjetër që i kishte vdekur po ashtu foshnja rrëfeu se si u ndje teksa po futej në dhomë me një lehonë që e kishte beben në duar.
Sipas aktivistes Rukovci, shqetësuese është fakti që edhe adresimi i ankesave është i zorshëm si proces.
Krejt kjo ngase nuk ka linja të posaçme për secilën klinikë, e po ashtu edhe gratë hezitojnë të ankohen shkaku që frikësohen nga hakmarrja e stafit mjekësor nëse u duhet të kthehen prapë në ato reparte.
Një tjetër shqetësim sipas Rukovcit është edhe fakti që grave që futen në klinikë për të lindur, nuk u lejohet që me to të qëndrojë një shoqërues atëherë kur ato kanë nevojë.
Ndonëse Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve në sistemin shëndetësor i vitit 2007 e rregullon një gjë të tillë, por që në realitet rrallëherë zbatohet./Klankosova.tv
The post “Beben e vdekur e kanë detyru me lind vet” / Grazeta mbledhë historitë e grave që u keqtrajtuan në QKUK (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.