Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, ish-kryeministrja estoneze Kaja Kallas, ka reaguar pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët ushtarakë rusë, raporton Sinjali.
Kallas tha se kjo është shkelja e tretë e hapësirës ajrore të BE-së brenda pak ditësh dhe kontribuon më tej në rritjen e tensioneve në rajon.
“Shkelja e sotme e hapësirës ajrore estoneze nga avionët ushtarakë rusë është një provokim jashtëzakonisht i rrezikshëm. Ky është shkelja e tretë e hapësirës ajrore të BE-së brenda pak ditësh dhe kontribuon më tej në rritjen e tensioneve në rajon. BE-ja shpreh solidaritetin e saj të plotë me Estoninë”, ka shkruar Kallas në rrjetin social X.
Ajo ka shtuar se është në kontakt të ngushtë me qeverinë estoneze dhe se Bashkimi Evropian do të mbështesë vendet anëtare për të forcuar mbrojtjen e tyre.
“Jam në kontakt të ngushtë me qeverinë estoneze. Ne do të vazhdojmë të mbështesim shtetet tona anëtare në forcimin e mbrojtjes së tyre me burime evropiane. Putini po e vë në provë vendosmërinë e Perëndimit. Ne nuk duhet të tregojmë dobësi”, ka shtuar ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!