Bashkimi Evropian është duke përgatitur paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, në përpjekje për të rritur presionin ekonomik ndaj Kremlinit pas përshkallëzimit të sulmeve ndaj Ukrainës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar propozimet e reja që, sipas saj, synojnë kryesisht të ardhurat ruse nga burimet e energjisë dhe industria e armëve.
Në një deklaratë nga Brukseli, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian do të fokusohet në masa që do të godasin fort sektorët kyç të ekonomisë ruse. “Presioni mbi Rusinë do të rritet,” tha ajo, duke shtuar se “forca është e vetmja gjuhë që Moska e kupton.”
Një ndër propozimet kryesore është ulja e çmimit tavan për naftën bruto ruse, nga 60 në 45 dollarë për fuçi. Ky vendim pritet të diskutohet në samitin e G7, që do të mbahet javën e ardhshme në Alberta të Kanadasë.
Von der Leyen u shpreh me “besim të madh se do ta arrijmë këtë qëllim”, duke nënvizuar se kjo ulje synon të përshtatet me kushtet aktuale të tregut. Që nga futja e këtij limiti në dhjetor të vitit 2022, çmimi global i naftës ka rënë ndjeshëm, madje ka zbritur edhe nën nivelin e 60 dollarëve për fuçi.
Paketa e re përfshin edhe shtimin e 77 anijeve të tjera të flotës fantazmë ruse në listën e sanksioneve, si dhe sanksionimin e 22 bankave të tjera që operojnë në Federatën Ruse.
Komisioni Evropian synon gjithashtu ndalimin e eksporteve drejt Rusisë për produkte si makineri, metale, plastikë dhe kimikate, por edhe për mallra dhe teknologji me përdorim të dyfishtë që mund të përdoren në prodhimin e dronëve, raketave dhe armëve të tjera.
Në paketën e fundit të sanksioneve, BE kishte ndërmarrë masa kundër flotës fantazmë që transporton naftë dhe produkte të saj, si dhe kundër dhjetëra kompanive të përfshira në anashkalimin e sanksioneve ekzistuese apo në mbështetje të industrisë ruse të armëve.
Ndërkohë, situata në Ukrainë mbetet kritike. Në ditët e fundit, ka pasur një valë të re sulmesh ndaj qyteteve ukrainase. Së fundmi, të martën, dy persona u vranë në qytetin portual jugor të Odesës, ndërsa katër të tjerë u plagosën në kryeqytetin Kiev. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski e cilësoi sulmin si “një nga sulmet më të mëdha kundër Kievit deri sot”, duke konfirmuar edhe goditje në rajonet Dnipro dhe Chernihiv.
Përballë këtyre sulmeve, kancelari gjerman Friedrich Merz akuzoi Rusinë për “krimet më të rënda të luftës”. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, Merz deklaroi: “Rusia ka sulmuar në mënyrë të synuar dhe të pamëshirshme popullsinë civile të Ukrainës”, duke shtuar se këto veprime përbëjnë “terror kundër popullsisë civile” dhe janë “çdo gjë tjetër përveç një përgjigjeje proporcionale” ndaj sulmeve “shumë të përcaktuara” të Ukrainës ndaj objektivave ushtarake ruse.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!