BE pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje nga jashtë

BE pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje nga jashtë

Bashkimi Evropian (BE) pret që zgjedhjet lokale në Kosovë të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje nga jashtë.

Një zëdhënës i BE-së ka rikujtuar se misioni vëzhgues evropian kishte konstatuar raste të ndërhyrjeve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në muajin shkurt.


“Presim nga të gjitha palët që të përmbahen nga veprime të tilla”, thuhet në reagimin e BE-së.

Ky prononcim vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë, duke kërkuar nga BE-ja që të dënojë dhe të sanksionojë ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë.

“Të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm, pa ndërhyrje dhe manipulime nga jashtë”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Bashkimit Evropian.

Në përputhje me ftesën e bërë nga presidentja Vjosa Osmani, BE-ja ka dërguar një mision ekspertësh zgjedhor në vend.

Anëtarët e këtij misioni, siç konfirmohet në Bruksel, tashmë janë në terren për të vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor. /rtk/