BE mirëpret fazën e parë të marrëveshjes Izrael-Hamas

BE mirëpret fazën e parë të marrëveshjes Izrael-Hamas

Evropa ka mirëpritur njoftimin se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të një plani paqeje të mbështetur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Megjithatë, shumë udhëheqës theksuan se kjo duhet të jetë premisa për një zgjidhje me dy shtete, të cilën udhëheqja e Izraelit e konsideron si një vijë të kuqe.


“Kjo marrëveshje duhet të shënojë fundin e luftës dhe fillimin e një zgjidhjeje politike të bazuar në zgjidhjen me dy shtete”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

“Franca është e gatshme të kontribuojë për këtë qëllim”, shtoi ai.

Marrëveshja pritet të shohë lirimin e të gjithë pengjeve izraelite të mbetura në Gaza, ndërsa Izraeli do të lirojë pothuajse 2,000 të burgosur palestinezë, do të lejojë kalimin e ndihmës humanitare shumë të nevojshme në Rripin e rrethuar dhe do të tërheqë trupat e tij nga vija e frontit.

Udhëheqja e BE-së, ashtu si Macron, tha gjithashtu se marrëveshja është një “mundësi” që duhet “shfrytëzuar” për të hedhur themelet për një paqe të qëndrueshme “të bazuar” ose “të ankoruar” në “një zgjidhje me dy shtete”.

“BE-ja do të vazhdojë të mbështesë shpërndarjen e shpejtë dhe të sigurt të ndihmës humanitare në Gaza. Dhe kur të vijë koha, ne do të jemi gati të ndihmojmë me rimëkëmbjen dhe rindërtimin”, shtoi në një deklaratë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, tha në mënyrë të ngjashme se “BE-ja do të bëjë çmos për të mbështetur” “zbatimin” e marrëveshjes.

Thirrja e tyre u mbështet nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i cili në një deklaratë tha se marrëveshja “do të shërbejë si një prelud për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike që do t’i japë fund pushtimit izraelit dhe do të çojë në krijimin e një shteti palestinez përgjatë kufijve të 4 qershorit 1967”.

Por Izraeli nuk ka gjasa t’i japë shumë peshë thirrjes së tyre.

Kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua një muaj më parë, gjatë vizitës në një vendbanim në Bregun Perëndimor të pushtuar, se qeveria e tij do të “përmbushë premtimin se nuk do të ketë shtet palestinez”.

Ai tha se krijimi i një shteti palestinez do të ishte “shpërblimi përfundimtar për Hamasin pas masakrës më të madhe kundër hebrenjve që nga Holokausti”.

Gjithashtu, Netanyahu kritikoi ashpër shtetet anëtare të BE-së që kohët e fundit kanë ndërmarrë hapa për të njohur një shtet palestinez dhe e kritikoi bllokun për mungesën në përpjekjet për paqe.

Ndryshe, Komisioni Evropian njoftoi së fundmi planet për të pezulluar “mbështetjen dypalëshe” me Izraelin dhe për të pezulluar pjesërisht pjesët tregtare të marrëveshjes së asociimit me Tel Avivin.

Ky hap kërkon një shumicë të kualifikuar midis 27 shteteve anëtare, dhe disa vende, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Hungarinë dhe Republikën Çeke, kanë bllokuar vazhdimisht përpjekjet për të sanksionuar Izraelin. /Telegrafi/