“BBC Verify”: A iu dha fund vërtet Donald Trump “shtatë luftërave”? Po Kosovës e Serbisë?

“BBC Verify”: A iu dha fund vërtet Donald Trump “shtatë luftërave”? Po Kosovës e Serbisë?

Presidenti amerikan Donald Trump po e përdor fuqishëm narrativën e “paqebërësit” në mandatin e tij të dytë, ndërsa përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Më 18 gusht, në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë, ai deklaroi se kishte “përfunduar gjashtë luftëra, pa përdorur madje as fjalën armëpushim”. Një ditë më vonë, numri ishte rritur në “shtatë”, transmeton Klankosova.tv.

Administrata e tij madje sugjeron se një Çmim Nobel për Paqe është i vonuar për “kryepaqebërësin”. Por sa qëndrojnë pretendimet e Trumpit?

BBC Verify ka analizuar rastet që ai liston si “luftëra të përfunduara” – përfshirë edhe atë që lidhet me Kosovën dhe Serbinë.

Serbia dhe Kosova – paqe e imponuar apo narrativë e ekzagjeruar?

Trump pretendon se më 27 qershor kishte parandaluar një luftë të re mes Kosovës dhe Serbisë:

“Serbia dhe Kosova do të shpërthenin në një luftë të madhe. Unë u thashë: nëse ndodh, nuk ka tregti me ShBA. Ata u përgjigjën: ndoshta nuk do të luftojmë”.

Në fakt, dy vendet mbeten të ndara për shkak të trashëgimisë së luftërave të viteve ’90 dhe për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Por, siç vëren historiania Margaret MacMillan:

“Serbia dhe Kosova nuk kanë qenë në luftë të hapur, nuk kanë shkrepur armë ndaj njëra-tjetrës. Pra nuk ka pasur luftë për ta përfunduar”.

Shtëpia e Bardhë, për ta mbrojtur këtë pretendim, i referohet rolit diplomatik të Trumpit që në mandatin e parë. Në vitin 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Zyrën Ovale marrëveshje për “normalizim ekonomik”, por edhe atëherë ato nuk ishin në gjendje lufte.

Kritikët e konsiderojnë këtë më shumë si një sukses simbolik të politikës së jashtme sesa si “parandalim lufte”. Megjithatë, rasti i Kosovës e Serbisë përdoret nga Trumpi për të ndërtuar imazhin e tij si ndërmjetës paqeje.

Çështjet e tjera që Trump i quan “luftëra të mbyllura”

Izrael – Iran: një konflikt 12-ditor pas sulmeve ajrore, i mbyllur me presion amerikan, por pa marrëveshje paqeje afatgjatë.

Indi – Pakistan: tensione në Kashmir të shoqëruara me bombardime disa-ditore, të cilat Trump pretendon se i ndali përmes negociatave. India e ka minimizuar rolin e ShBA-së.

Ruanda – DR Kongo: marrëveshje e nënshkruar në Uashington, por dhuna ka vazhduar.

Tajlandë – Kamboxhia: konflikt disa-ditor në kufi i shuar kryesisht pas presionit tregtar të ShBA-së.

Armeni – Azerbajxhan: marrëveshje paqeje për konfliktin e Nagorno-Karabakut e shpallur në Shtëpinë e Bardhë.

Egjipt – Etiopi: mosmarrëveshje mbi digën e Nilit; nuk ka pasur luftë, as marrëveshje përfundimtare. /Klankosova.tv

The post “BBC Verify”: A iu dha fund vërtet Donald Trump “shtatë luftërave”? Po Kosovës e Serbisë? appeared first on Klan Kosova.