Batutat e kryeministrit Edi Rama me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron një ditë më parë në Danimarkë për ngatërrimin e shpeshtë që Presidenti Trump i bënte Armenisë me Shqipërinë, u bënë virale dhe zunë hapësirë në të gjitha mediat botërore.
Në një reagim të mbrëmjes së djeshme kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi si shtrembërim mënyrën se si është pasqyruar.
“Sigurisht, nuk ka problem nëse përhapet, por ta shtrembërosh atë në helm politik është thjesht e padrejtë”-shkruante dje Rama.
Lidhur me batutat e kreut të Qeverisë, reagoi sot lideri i opozitës, Sali Berisha që i quajti ato përqeshje dhe tallje të Presidentit Trump
“Dje shqiptarët, evropianët dhe qytetarët e mbarë botës panë se kreu i organizatës kriminale të Tiranës është njëherashi edhe klouni ndërkombëtar. Edi Rama shfrytëzoi samitin e Bashkimit Politik të Evropës për të përqeshur, për t’u tallur me presidentin e SHBA. Konkretisht, me një proces të suksesshëm paqeje siç ishte paqja e Kaukazit. Edi Rama, kllounadën e tij, që e filloi në sallën e samitit, e vazhdoi më vonë me mediat, duke bërë të njëjtat deklarata”, tha Berisha.
Sipas tij “Por ky është shërbimi më i keq që Edi Rama mund t’u bëjë shqiptarëve. Ky është shërbimi më i keq që Edi Rama mund t’i bëjë Evropës. Në darkë u përpoq të marrë kthesën duke dëshmuar edhe njëherë se sa hipokrit dhe i pakarakter është”. /Tch/