Basketbollistja më e përfolur e Amerikës bëhet “Victoria’s Secret Angel”: Kush është Angel Reese?

Basketbollistja më e përfolur e Amerikës bëhet “Victoria’s Secret Angel”: Kush është Angel Reese?

Ylli amerikan i basketbollit Angel Reese ka konfirmuar zyrtarisht se do të marrë pjesë në sfilatën e këtij viti të Victoria’s Secret Fashion Show, duke u bërë sportistja e parë profesionale në histori që do të ecë në këtë pistë ikonike të modës

Lajmin e ndau në Instagram me një seri fotografish nga seti i xhirimeve, ku shfaqet me një komplet të zi dhe me krahët e bardhë engjëllorë, simbolin më të njohur të markës.


“Po më realizohet një ëndërr: nga ‘Angel’ te Victoria’s Secret Angel. Më në fund po marr krahët e mi. Për herë të parë do të ec në sfilatën e Victoria’s Secret 2025 dhe ndjej sikur është e shkruar në fatin tim. Krahët janë gati, takat po ashtu… do të më shihni në pistë”, shkroi Reese në përshkrim.

Një bashkëpunim historik mes sportit dhe modës

Partneriteti mes 23-vjeçares së ekipit Chicago Sky (WNBA) dhe Victoria’s Secret tashmë cilësohet si moment historik. Përfaqësuesit e Victoria’s Secret theksuan për Vogue se Reese mishëron atletizëm të jashtëzakonshëm, vetëbesim dhe ndikim kulturor, duke e përshkruar si “simbol të forcës dhe frymëzimit që marka dëshiron të festojë në epokën e saj të re”, transmeton Telegrafi.

Nga kritikat te sfilata: rruga e gjatë e Angel Reese

Angel Reese është një nga figurat më polarizuese dhe më të diskutuara në basketbollin amerikan. Ajo është njëkohësisht e adhuruar për karizmën dhe vetëbesimin, por edhe e kritikuar për qëndrimet e saj sfiduese dhe stilin e lojës.

Në rrjetet sociale, Reese shpesh përballet me një valë urrejtjeje dhe komentimesh negative, të cilat, sipas analizave të mediave si The Guardian, ESPN dhe Salon, përzihen me paragjykime racore dhe gjinore që ende mbizotërojnë në sportin amerikan.

Në një studim të publikuar nga BetOnline më 2024, ajo u rendit në mesin e lojtarëve më të kritikuar dhe më të përmendur negativisht në rrjetet sociale ndër të gjitha basketbollistet e WNBA-së.

Megjithatë, Reese ka treguar se di ta kthejë çdo kritikë në kapital personal dhe markë tregtare.

Nga talljet në rrjete te suksesi milionësh

Një pjesë e tifozëve e akuzuan për “vetëvlerësim të tepruar” ose për përpjekje për famë, ndërsa të tjerë e shohin si simbol të fuqizimit të grave në sport. Kritikët shpikën madje edhe termin “mebound” (kombinim i me – “unë” dhe rebound – “kërcim pas topit”), për të ironizuar stilin e saj në fushë. Reese, në vend që ta marrë si fyerje, e ktheu këtë në markë personale, duke edituar një linjë veshjesh sportive që, sipas saj, i ka sjellë fitime mbi 100 mijë dollarë.

“Basketbolli është puna ime e ëndrrave, por nuk më sjell aq të ardhura sa biznesi që ndërtova vetë. U tallën me mua për mënyrën si kërcej për topin – unë e ktheva në burim të ardhurash”, ka thënë ajo në podcastin e saj.

Një zë i fortë për gratë në sport

Edhe pse shpesh ndodhet në qendër të polemikave, Reese e përdor ekspozimin publik për të promovuar imazhin pozitiv të grave në sport dhe për të sfiduar stereotipet gjinore.

“Vetëm pse jam e bukur, nuk do të thotë se nuk e marr basketbollin seriozisht. Dikur thoshin që gratë në WNBA janë shumë ‘mashkullore’. Sot thonë që janë shumë ‘femërore’. Pra, vendosni vetë”, ka deklaruar ajo.

Simbol i një epoke të re

Me këtë hap, Angel Reese nuk po sfidon vetëm kufijtë mes sportit dhe modës, por po bëhet simbol i një brezi të ri sportistesh që duan të jenë njëkohësisht të forta, elegante dhe autentike.

Sfilata e Victoria’s Secret 2025, që do të mbahet në New York, pritet të jetë një nga më të komentuara në dekadën e fundit, me pjesëmarrje rekord të figurave nga sporti, arti dhe moda. /Telegrafi/