Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka shpallur një moment historik për sportin kosovar, duke sjell një risi të rëndësishëm në mënyrën e menaxhimit dhe shitjes së biletave për ndeshjet e basketbollit.
Me lansimin e platformës online KickTick, të gjithë tifozët do të kenë mundësinë të blejnë bileta për ndeshjet dhe aktivitetet e FBK-së me një klikim, duke i ofruar një eksperiencë të re dhe më të lehtë për të gjithë ata që duan të ndjekin basketbollin e Kosovës nga afër.
Në kuadër të strategjisë së saj “Basketbolli 3.0” FBK ka marrë një hap të rëndësishëm për të modernizuar sportin dhe për të ofruar një shërbim më efikas për tifozët e saj. Kjo platformë e re e biletave është pjesë e një procesi që synon përmirësimin e operacioneve, eliminimin e radhëve të gjata në pikat fizike dhe rritjen e transparencës në menaxhimin e biletave.
“Me këtë hap, ne jo vetëm që përmirësojmë mënyrën se si tifozët mund të blejnë bileta, por po ashtu sigurojmë një standard të ri të transparencës dhe shërbimit ndaj komunitetit.
Blerja e biletave online do të sjellë më shumë mundësi për të gjithë dashamirësit e basketbollit, që tani mund ta bëjnë këtë në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt”, deklaroi një përfaqësues i FBK-së.
Për të realizuar këtë transformim, FBK ka zgjedhur platformën KickTick si partnerin e saj strategjik. Me një sistem të integruar dhe të lehtë për përdorim, KickTick ofron një proces të shpejtë dhe të sigurt për blerjen e biletave.
Tifozët mund të sigurojnë vendin e tyre në tribunë në vetëm disa sekonda, pa pasur nevojë të presin në radhë apo të vizitojnë pika fizike për të marrë biletën.
Ky projekt është një mundësi për të rritur pjesëmarrjen në aktivitetet e basketbollit dhe për të shërbyer si model për federatat e tjera sportive në rajon që mund të adoptojnë një qasje të ngjashme.
Si të blihet bileta?
Për të blerë bileta, tifozët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës ose të drejtohen në platformën KickTick për të njohur datat e ndeshjeve dhe për të siguruar biletat e tyre pa vonesa.
Me këtë sistem të ri, tifozët do të mund të përfitojnë nga mundësia për të siguruar vendin e tyre në tribuna sa më shpejt dhe pa mundime të panevojshme.
Me integrimin e kësaj platforme, basketbolli kosovar po i hap dyert për një të ardhme më të ndritshme dhe më të aksesueshme për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij sporti.
Tifozët tani kanë mundësinë të përjetojnë emocionet e lojës pa u shqetësuar për detajet logjistike, gjithçka është vetëm një klikim larg.


