Bashkëpunëtori i forcave ruse, humb jetën pas sulmit me dron – publikohen momenti i shpërthimit të veturës së tij

Bashkëpunëtori i forcave ruse, humb jetën pas sulmit me dron - publikohen momenti i shpërthimit të veturës së tij

Në rajonin e Khersonit, i ashtuquajturi kryetar i bashkisë së Nova Kakhovkas është vrarë pas një shpërthimi të shkaktuar nga një dron ukrainas.

Vladimir Leontyev, bashkëpunëtor i njohur i forcave pushtuese ruse që nga fillimi i agresionit në Ukrainë, është plagosur rëndë dhe është transportuar menjëherë në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ai nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak pas sulmit.


Sipas burimeve lokale dhe raportimeve nga autoritetet ukrainase, Leontyev ka qenë një figurë kyçe në administratën e instaluar nga Rusia në qytetin Nova Kakhovka, pas pushtimit të rajonit të Khersonit në fillim të vitit 2022. Ai është emëruar nga autoritetet ruse si “kryetar” i qytetit, megjithëse kjo pozitë nuk njihej nga qeveria ukrainase apo nga komuniteti ndërkombëtar.

Leontyev është akuzuar për bashkëpunim aktiv me forcat ruse dhe për përfshirje në aktivitete represive ndaj popullsisë vendase.

Në mars të vitit 2022, ai ka ndihmuar forcat pushtuese në rrëmbimin e kryetarit legjitim të qytetit Berislav, Oleksandr Shapovalov – një akt që është konsideruar si pjesë e përpjekjeve për të shtypur rezistencën dhe për të vendosur kontrollin e plotë rus në zonë.

Vrasja e Leontyev vjen në një kohë kur raportet për tensione dhe pasiguri në zonat e pushtuara nga Rusia janë shtuar. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga Moska për këtë incident, ndërsa autoritetet ukrainase nuk kanë marrë përsipër drejtpërdrejt përgjegjësinë për sulmin, por e kanë cilësuar atë si rezultat të “përleshjeve të brendshme dhe kaosit” në radhët e administratës ruse.

Ngjarja tregon edhe një herë se pozitat e bashkëpunëtorëve të pushtuesve nuk janë të sigurta dhe se lufta në Ukrainë vazhdon të prodhojë zhvillime të paparashikueshme edhe në territorët e kontrolluar nga Rusia. /Telegrafi/