Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit fillon sot.
Subjektet politike të certifikuara nga KQZ-ja do të zhvillojnë fushatë për 30 ditë, gjatë të cilave do të prezantojnë programet dhe vizionin e tyre për qeverisje komunale.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka hapur fushatën mbrëmë në Prishtinë, partitë e tjera kanë paralajmëruar nisjen e aktiviteteve sot.
Partitë tashmë kanë zbuluar sloganet që do të përdorin për të tërhequr votuesit: LVV-ja me “Bashkë për komunat”, PDK-ja “Ma mirë për komunën”, LDK-ja “Kosova përtej”, dhe AAK-ja “Dritë për komunat”. Liderët e tyre shprehen optimistë se këto slogane do t’i ndihmojnë të korrin fitore më 12 tetor.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës mbrëmë, e ka përshkruar partinë e tij si opsionin e duhur për Kosovën.
“Së bashku e dimë çka na duhet, kush mundet, kush ka vullnet dhe dije. Më 12 tetor, të gjithë së bashku të votojmë opsionin që na duhet, kryetarin që mundet, që ka vullnet e që ka dije, e ai kryetar e ka numrin 105, dhe i përket Lëvizjes sonë kombëtare e përparimtare, zhvilluese dhe modernizuese, Lëvizjes VETËVENDOSJE!”
Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehet optimist: “Me numrin 191, PDK hyn në zgjedhjet lokale për t’ua sjellë komunave të Kosovës modelin e qeverisjes #MaMirë – me punë, përgjegjësi dhe vizion. Me kandidatët më të mirë për kryetarë, këshilltarët më të përgatitur komunalë dhe programin më zhvillimor, jemi gati për fitore. Bashkë, përpara!”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se koha dhe momenti janë në favor të partisë së tij.
“Gati për nesër. Të gjitha rrugët na bashkojnë në Pallat të Rinisë nga ora 18:00, në hapjen e madhe të fushatës lokale dhe prezantimin e kandidatëve tanë. LDK ju pret. Koha është në anën tonë. Populli i Kosovës është ngopur me fjalë e urrejtje të thatë; le të kthehemi në gjenezë! Një Kosovë e shkollës e shëndetës, rrugës e dritës, kulturës e familjes.”
Kurse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar sukseset e partisë së tij në qeverisje komunale dhe ka prezantuar fushatën:
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025, më 13 shtator 2025, duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë. Slogani ynë është ‘Dritë për Komunat’, kjo vjen për faktin se qeverisja e AAK-së në komuna ka dëshmuar rezultate konkrete, duke ofruar modele të suksesshme të udhëheqjes dhe zhvillimit lokal. Kryetarët tanë dhe ekipet qeverisëse kanë arritur suksese të prekshme, duke u renditur lart në tabelat e performancës komunale.”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!