Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, priti Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, në një takim ku u theksua thellimi i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha kyçe, raporto Gazeta Sinjali.
Në qendër të bisedimeve ishte avancimi i programeve për shkëmbimin e studentëve mes dy vendeve, për të forcuar lidhjet kulturore dhe akademike. Kryetari Basha dhe Ambasadori Guérot u pajtuan që këto iniciativa të nxisin gjithashtu zhvillimin profesional dhe inovativ të rinisë kosovare.
“Synojmë të shtojmë programet për shkëmbimin e studentëve të të dy vendeve, ku rrjedhimisht edhe forcohen vlerat e përbashkëta, lidhjet mes popujve dhe bashkëpunimi mes studentëve dhe universiteteve të vendeve tona.”, tha Basha.
Takimi trajtoi edhe mundësitë e investimeve nga kompanitë franceze në Kosovë, me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës dhe afirmimin e potencialit të të rinjve. Diskutime u zhvilluan gjithashtu mbi çështje me rëndësi gjeopolitike dhe strategjike, përfshirë ndikimin rus në Evropë dhe mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Këta hapa ndikojnë pozitivisht në forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe ndihmojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në vend.”, theksoi Basha.
Në takim u trajtua edhe nevoja për procedimin e themelimit të institucioneve vartëse të Kuvendit, për të siguruar funksionimin e plotë të tyre. Kryetari i Kuvendit vuri në pah përkushtimin e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe rëndësinë e integrimit të plotë për një shoqëri që bashkëjeton në respekt, barazi, paqe dhe zhvillim.
“Po ashtu, Kryetari i Kuvendit i shprehu Ambasadorit përkushtimin e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe rëndësinë e integrimit të plotë në funksion të një shoqërie që bashkëjeton në respekt, barazi, paqe dhe zhvillim të plotë në kuadër të prosperitetit të gjithëmbarshëm të Republikës së Kosovës.”, thuhet në komunikatë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!