Barduani takon ministrin e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, flasin për sigurinë – përmendet edhe dialogu

news image

Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, zhvilloi sot një takim me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneral-major Enriko Barduani, për të diskutuar rolin dhe rëndësinë e këtij misioni në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, në takim u theksua kontributi i vazhdueshëm i KFOR-it për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë komunitetet në Kosovë.

“Ky mision i NATO-s është jashtëzakonisht i rëndësishëm për një rajon edhe më të qëndrueshëm dhe të sigurt. Mbetemi të përkushtuar ndaj kontributit tonë në KFOR dhe mbështetjes logjistike që i ofrojmë këtij misioni në të ardhmen”, tha ministri Misajllovski gjatë takimit.

Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e një rajoni të sigurt në kohë sfidash serioze gjeopolitike dhe paqëndrueshmërie, duke theksuar se Maqedonia do të vazhdojë të jetë një shtyllë sigurie në Ballkan.

Duke pasur parasysh se mandati i gjeneral Barduanit si Komandant i KFOR-it po përfundon së shpejti, ministri e falënderoi atë për bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer lidhur me kontingjentin e Maqedonisë në këtë mision.

Nga ana e tij, gjeneral Barduani theksoi profesionalizmin e lartë dhe përkushtimin e ushtarëve të Maqedonisë, të cilët çdo ditë kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre me përkushtim të plotë.

Në kuadër të vizitës, gjeneral Barduani zhvilloi gjithashtu një takim edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Lafçiski.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/