Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it derisa theksoi se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm që nga viti 1999, ka shtuar se ka shqetësime për humbjen e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura.
Ai ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
“Sigurisht, situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm që nga nisja e KFOR-it, dhe dëshmia më e prekshme për këtë është fakti që sot forcat e KFOR-it janë reduktuar në më pak se 10% të asaj që ishin në vitin 1999. Dhe kjo nuk është aspak një arritje e vogël. Megjithatë, ende ka shqetësime për humbjen e sigurisë për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe pikërisht për këtë arsye roli i KFOR-it mbetet kritik, si dhe thelbësor për t’u parë si pjesë integrale e angazhimit të vazhdueshëm të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare. NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha ai ndër të tjera.
Gjeneralmajori Barduani përfundoi mandatin e tij si Komandant i KFOR-it, duke ia dorëzuar detyrën gjeneralmajorit të ushtrisë Turke, Özkan Ulutaş.
Në ceremoninë e ndërrimit të Komandës në Shtabin e KFOR-it po marrin pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe disa prej ministrave në detyrë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!