Barduani: Ka shqetësime në aspektin e sigurisë, rruga drejt paqes s’është ushtarake por politike

Barduani: Ka shqetësime në aspektin e sigurisë, rruga drejt paqes s’është ushtarake por politike

Gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR, është shprehur se ende ekzistojnë disa shqetësime në aspektin e sigurisë në Kosovë.

Barduani u shpreh se që nga viti 1999 situata është përmirësuar ndjeshëm, por sipas tij, ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura.

“Ende ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura dhe për këtë arsye, roli i KFOR-it mbetet thelbësor dhe kritik për tu parë si pjesë integrale e angazhimit të mëtejmë të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare”, tha Barduani, njofton Klankosvoa.tv.

Tutje, ai u shpreh se NATO vazhdon ta mbështes dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, teksa potencoi se rruga drejt paqes dhe sigurisë nuk është ushtarake por politike.

“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i po luan rolin e vet në këtë drejtim”.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është një kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Rruga drejt paqes dhe sigurisë nuk është ushtarake, është politike”, tha ai.

The post Barduani: Ka shqetësime në aspektin e sigurisë, rruga drejt paqes s’është ushtarake por politike appeared first on Klan Kosova.