Gjeneralmajori i ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit si komandant i KFOR-it në Kosovë tha se situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm, por theksoi se ekzistojnë ende shqetësime për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura.
Sipas tij, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është kornizë për të zgjidhur çështjet e hapura.
“Natyrisht, situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm që nga fillimi i KFOR-it, dhe dëshmi e prekshme e kësaj është fakti që sot forcat e KFOR-it janë reduktuar në më pak se 10% të asaj që ishin në vitin 1999, një arritje e rëndësishme.
Megjithatë, ekzistojnë ende shqetësime për humbje sigurie për shkak të disa çështjeve të pazgjidhura, dhe kjo është arsyeja pse roli i KFOR-it mbetet ende kritik, dhe pse është thelbësore që KFOR-i të shihet si pjesë integrale e angazhimit të vazhdueshëm të komunitetit ndërkombëtar.
NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe KFOR-i po luan rolin e tij në këtë drejtim. Ky dialog është një kornizë për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është thelbësore për një stabilitet afatgjatë”, tha ai, raporton kp.
Sipas tij, për të ecur përpara është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese, dhe që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet për të bërë kompromiset e nevojshme.
“Por për të ecur përpara, siç ka theksuar vazhdimisht Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është e rëndësishme që Beogradi dhe Prishtina të zbatojnë marrëveshjet ekzistuese, dhe që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet për të bërë kompromiset e nevojshme. Por politikanët e mençur duhet të kujdesen për të mirën e popullit të tyre dhe për të ardhmen e vendeve të tyre. Prandaj ata duhet të jenë të gatshëm të bëjnë kompromis. Nëse shohim skenarin e sigurisë ndërkombëtare sot, jam i bindur se tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për udhëheqje politike për të ndjekur zgjidhje afatgjata për shumë çështje të pazgjidhura që ende prekin Kosovën dhe rajonin”, theksoi ai.
Ndryshe, sot në kampin e KFOR-it, Film City është mbajtur sot ceremonia e Ndërrimit të Komandës. Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, ia dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të ushtrisë turke, Özkan Ulutas