Komandanti i Misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, Gjeneral Major Enrico Barduani, priti në Shtabin e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë, të Dërguarën Speciale të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, e cila ishte shoqëruar nga Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Bëhet e ditur se takimi u përqendrua kryesisht në “situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe dialogun e vazhdueshëm Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja”.
Në këtë kuadër, Gjeneral Major Barduani e rikonfirmoi angazhimin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe paqësor për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Gjeneral Barduani theksoi rëndësinë e profesionalizmit të kontingjentit britanik dhe shprehu vlerësimin e tij për kontributin e rëndësishëm të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e KFOR-it, si dhe për stabilitetin dhe paqen e rajonit.
Në anën tjetër, Dame Karen Pierce vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e stabilitetit për të gjitha komunitetet e Kosovës. Ajo theksoi se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për misionin e KFOR-it do të vazhdojë të jetë e palëkundur. /Klankosova.tv
The post Barduani foli me të Dërguarën Speciale të Britanisë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe dialogun appeared first on Klan Kosova.