Uglari – një lagje e vogël, por me një problem të madh të padefinuar administrativ. Banorët e kësaj lagjes kanë ngritur shqetësime në Telegrafi për disa ditë për paqartësitë rreth përcaktimit të zonës administrative mes komunës së Fushë Kosovës dhe asaj të Graçanicës.
Ata thonë se, ndonëse me letërnjoftime, tatim në pronë dhe vendvotime figurojnë në Fushë Kosovë, po përballen me dilema mbi përkatësinë e vërtetë administrative të kësaj zone.
Telegrafi ka kërkuar sqarime nga Komuna e Fushë Kosovës, prej nga është thënë se kufiri kadastral përcaktohet sipas gjeoportalit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
“Sipas kërkesës suaj për sqarim lidhur me kufirin kadastral në mes të komunës së Fushë Kosovës me komunën e Graçanicës, ju njoftojmë se kufiri kadastral është sipas gjeoportalit, fletat poseduese janë me komunën e Fushë Kosovës në momentin që në fletë poseduese i shkruan Uglar, sistemi i adresave e njeh në mënyrë automatike si banorë të komunës së Graçanicës”, thuhet në përgjigjen e komunës së Fushë Kosovës për Telegrafin.
Ndërkohë, nga Komuna e Graçanicës, jo-zyrtarisht kanë thënë se Uglari është pjesë e tyre, por nuk ishin në dijeni se banorët e kësaj lagjeje paguajnë tatim në Fushë Kosovë, si dhe marrin shërbime administrative, shëndetësore dhe arsimore nga kjo komunë.
Për këtë çështje, Telegrafi i është drejtuar edhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës përmes emailit dhe thirrjeve, por nuk ka marrë përgjigje.
Banorët theksojnë se banesat i kanë blerë si pronë e Fushë Kosovës, gjë që dëshmohet edhe në kontrata.
“Dikush këtu duhet ta bartë përgjegjësinë, si ka mundësi t’i blejmë ne banesat për në Fushë Kosovë, kontratat të jenë Fushë Kosovë, ndërkaq tash na del që me kadastër janë në Graçanicë. Si ka mundësi që komuna e Fushë Kosovës të lëshojë lejet e ndërtimit në një pjesë që nuk është e saj, ndërsa tash pasojat i bartin qytetarët”, tha një banore për Telegrafin.
Ajo shtoi se situata krijon probleme të përditshme për banorët: “Kur kjo pjesë realisht është me Fushë Kosovë, si mund të dërgohen fëmijët në ambulantë në Graçanicë, ose në shkolla atje? Duhet të paktën që banorëve të kësaj ane të mos u ndalohet t’i nxjerrin dokumentet në komunë të Fushë Kosovës dhe kontrollet mjekësore të bëhen në këtë komunë, jo në Graçanicë sepse është larg”.
Sipas të dy komunave, zgjidhja e këtij problemi pritet të bëhet deri në fund të këtij viti, ndonëse paqartësitë për kufirin kadastral mes Fushë Kosovës dhe Graçanicës zgjasin tash e disa vite. /Telegrafi/