Nëse ndonjëherë keni dashur të provoni balluke, por ju ka zmbrapsur ideja e vijës së rreptë dhe mirëmbajtjes së përditshme, balluket e grisura mund të jenë kompromisi perfekt dhe plot stil që keni pritur
Me kalimin e verës dhe ardhjen e vjeshtës, në ajër ndihet një dëshirë kolektive për ndryshim – dhe shpesh rruga më e lehtë për transformim kalon përmes sallonit të flokëve. Këtë sezon harroni vijat strikte dhe balluket e rënda “perde” që kërkojnë kujdes të vazhdueshëm. Në skenë vjen varianti shumë më i çlodhur dhe elegant: balluket e grisura ose “të thyera”.
Kjo prerje feston bukurinë e papërsosmërisë simpatike dhe sjell një frymë të stilit francez. Sipas njohësve të modës, ky është mënyra më mirë për të freskuar pamjen tuaj në muajt që vijnë.
Çfarë janë balluket e grisura?
Imagjinoni balluke që duken sikur sapo jeni zgjuar, i keni kaluar lehtë me gishta dhe keni dalë nga shtëpia dukej të përkryera. Kjo është thelbi i tyre. Në vend të një vije të dendur e uniforme, ky stil karakterizohet nga lehtësia dhe tekstura. Fijet ndahen natyrshëm, janë të ajrosura dhe të lehta, duke krijuar një efekt të butë dhe “të gjallë”. Balli mbetet pjesërisht i dukshëm, gjë që e zbut pamjen e përgjithshme.
Për dallim nga balluket klasike, bukuria e këtij stili qëndron pikërisht tek gjatësia jo e njëtrajtshme. Frizerët i presin qëllimisht fijet në gjatësi paksa të ndryshme, duke krijuar një efekt të lehtë “të grisur” ose “të thyer”, duke shmangur linjën e drejtë e të ashpër.
Ky lloj ballukesh zakonisht është pak më i gjatë, duke prekur qerpikët ose zbritur deri tek mollëzat, duke e kornizuar fytyrën me elegancë. Me pak fjalë, është e kundërta e ballukeve të dendura e të rënda: një version rebel, por i sofistikuar, transmeton Telegrafi.
Në një kohë kur vlerësohet gjithnjë e më shumë natyrshmëria dhe autenticiteti, torn bangs janë përgjigjja e duhur. Avantazhi i tyre kryesor është ndjesia e lehtësisë dhe mungesa e përpjekjes së tepërt, një prerje për gruan që nuk ka kohë (apo dëshirë) të kalojë orë të tëra para pasqyrës me krehër dhe hekur flokësh.
Për më tepër, ato janë jashtëzakonisht të përshtatshme. Falë strukturës së butë e të parregullt, i shkojnë pothuajse çdo forme fytyre dhe tipi floku. Nuk kërkojnë përkushtim strikt si balluket klasike dhe shkrihen shumë më lehtë me flokun ndërsa rriten, duke e bërë periudhën e “lënies” pothuajse pa dhimbje.
Si t’i stilizoni
Magjia e ballukeve të grisura është se duken më bukur pikërisht kur i lini natyrale. Qëllimi nuk është perfeksioni, por theksimi i teksturës suaj.
Tharja natyrale është miku juaj: sa herë që është e mundur, lini t’i thajë ajri. Nëse përdorni tharëse, drejtojeni ajrin nga lart dhe shpërndajini fijet me gishta.
Sprej teksture: një sprej i lehtë me kripë deti ose sprej i thatë do t’u japë “grip” dhe formë, pa i ngurtësuar.
Përdorni gishtat, jo krehërin: merrni pak pomadë ose dyllë mat, shpërndajeni ndër gishta dhe kaloni lehtë përmes ballukeve për t’i ndarë fijet dhe për t’u dhënë formën e dëshiruar. /Telegrafi/