Opinionisti Labinot Balaj ka komentuar zhvillimet politike dhe mundësinë e një cikli të ri zgjedhor në Kosovë, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Balaj ka theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është plotësisht i kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke shtuar se kjo fitore mund t’i ketë krijuar bindjen se është në gjendje ta përmirësojë atë rezultat në një proces të ri zgjedhor.
“Me gjasë Kurtit s’po i pëlqen prapë rezultati që e ka korrur në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo fitore ia ka ushqyer iluzionin që mund ta tejkalojë këtë rezultat. Ndoshta synimi i tij është 61 deputetë”, është shprehur Balaj.
Megjithatë, sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të reja nuk do të ishte në interes të askujt, përfshirë edhe vetë Kurtin.
Ai vlerëson se, pavarësisht besimit që kreu i VV-së mund të ketë për një rezultat më të mirë, përsëritja apo tejkalimi i suksesit të kaluar nuk është i sigurt.
Ai ka shtuar se zgjedhjet e parakohshme do të kishin pasoja edhe për funksionimin e shtetit, duke theksuar se një proces i tillë do të sillte kosto të konsiderueshme./ Klankosova.tv


