Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili njoftoi se ekonomia e vendit po vazhdon të rritet.
Ai theksoi se Bruto Produkti Vendor (BPV) ka shënuar një rritje prej 4.58 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2025, transmeton Telegrafi.
Bajrami në reagimin e saj ka shkruar se inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht të vitit 2024.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024.Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”, ka theksuar deputetja Bajrami.
Ndryshe, Murati në postimin e tij, ka deklaruar se “ASK dje ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor), e cila shënon 4.58%, e që krahasuar me TM2 2024 e cila ishte 4.32%, len të kuptohet se kemi përshpejtim të rritjes”. /Telegrafi/