Bajrami: Dëshmitarë kredibilë po rrëzojnë pretendimet kundër UÇK-së

Bajrami: Dëshmitarë kredibilë po rrëzojnë pretendimet kundër UÇK-së

Akademik Arsim Bajrami ka folur nga këndvështrimi juridik dhe politik për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Bajrami ka shpalosur shkeljet e Gjykatës Speciale dhe ndikimin e saj në narrativën historike të luftës së UÇK-së, derisa për këtë proces të gjykimit maratonik ai ka thënë se drejtësia duhet të triumfojë në fund të këtij procesi.

Akademik Bajrami, në librin e tij që do të dalë së shpejti, thotë se më shumë se 50 faqe ka dhënë fakte edhe ndërkombëtare, si dhe ka bërë citime të juristëve ndërkombëtarë, të profesorëve më eminentë të së Drejtës Ndërkombëtare, që thonë që UÇK-ja nuk a qenë asnjëherë organizatë kriminale.


Tutje, akademik Bajrami thotë se kohëve të fundit ka dëgjuar disa dëshmitarë kredibilë, një prej tyre ka qenë Shen Berns, i cili tërë kohën ka qenë me UÇK-në dhe ai më së miri ka shpjeguar se ne nuk do të bashkëpunonim kurrë me një organizatë siç ka qenë UÇK po të vërenim që ka një plan kriminal.

“Fatmirësisht, gjatë shtatorit ne do të kemi dëshmitarë autoktonë, të vërtetë, të cilët kanë qenë partnerë tanë në procesin e shtetndërtimit, me të cilët kemi punuar bashkë dhe kemi koordinuar gjithçka, përfshirë edhe Shpalljen e Pavarësisë”, tha Bajrami për RTK-në.

Ai më tej nënvizoi se vazhdon të besojë se kjo gjykatë, duke qenë që është gjykatë evropiane, e përbërë nga gjyqtarë të nivelit të lartë do të vihet në anën e drejtësisë, që nuk do të bëjë politikë, por do të ndajë drejtësi.

“Thellësisht jam i bindur, edhe si jurist i karrierës, se nëse gjykata udhëhiqet nga ato parime, ajo do të bie një aktgjykim shfajësues, i cili do të lironte të gjithë të akuzuarit atje, do të hiqte ‘ato re të zeza’ që thoshin dikur në momentin e themelimit, që do të pastronte UÇK-në dhe uroj që do të hapte një perspektivë pozitive për Kosovën, që edhe ato shtete, të cilat deri më tani kanë hezituar ta njohin Kosovën, ta pranojnë atë si partner të barabartë në komunitetin ndërkombëtar”, tha Bajrami.

Ndryshe, akademik Arsim Bajrami, së shpejti, do te promovojë punën studimore në aspektin ligjor dhe juridik rreth Gjykatës Speciale në librin e tij.