Deri në muajin tetor të këtij viti sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat 26 punëtorë kanë gjetur vdekjen në vendin e punës, por të dhëna tjera kanë në Inspektoratin e Punës.
Sipas tyre, brenda kësaj periudhe kohore 13 punëtorë kanë vdekur në vend të punës, ndërsa kanë ndodhur 412 aksidente.
Këto të dhëna u bënë të ditura në Konferencën e 11-të Ndërkombëtare me temën “Siguria në Punë dhe në Transport – Qasje të Integruara për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe për Mbrojtjen e Jetës” të organizuar nga Kolegji Tempulli, AMRKS dhe Instituti për Siguri Rrugore dhe Hulumtime në Transport, raporton KP.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi deklaroi se qeveritë e deritanishme nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e punëtorëve në sektorin privat.
Azemi theksoi se deri në këtë periudhë të vitit 2025, 26 punëtorë e kanë gjetur vdekjen në vendin e punës.
“Qeveritë e mëhershme edhe kjo qeveri për punëtorët e sektorit privat të Kosovë kanë bërë zero për ta…Edhe në rastet e vdekjeve kemi pas raste kur inspektorët kanë dirigjuar dhe kanë ndihmuar pronarët e kompanive që fajtor të mbetet punëtori i vdekur, po ne kemi këto raporte ne kemi interferuar dhe raporti i inspektorit që ka vdekur nga pakujdesia e vetë ka dal kur kemi mbledh material ka dal se ka vdekur për shkak të pronarit të kompanisë….
Shifrat janë të tmerrshme ne kemi biseduar edhe për raportet pse tek inspektorati del 8 punëtorë e tek ne tjetër, në vitin 2025 kemi 26 raste të vdekjeve në punë. Ne konsiderojmë se në moment kur një punëtorë nis të shkoj në punë dhe prej punës shkon në shtëpi ne e konsiderojmë se është në orar të punës dhe Inspektorati i Punës nëse një punëtorë sot lëndohet në pallat dhe nuk vdes dhe vdes në QKUK këta nuk e konsiderojnë si rast i vdekjes”, theksoi ai.
Udhëheqësi i Divizionit ligjor pranë Inspektoratit Qendror të Punës, Arton Çerkini tha se sipas të dhënave të tyre deri në këtë periudhë të vitit 2025 kanë vdekur 13 punëtorë në vendin e punës, ndërsa kanë ndodhur 412 aksidente në punë, prej tyre 305 janë të rënda.
Ai tha se tashmë 32 inspektorë janë kategorizuar për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas tij sektori i ndërtimtarisë, prodhimtarisë dhe përpunimit janë punët me rrezikshmërinë më të lartë në vend.
“Gjithsej janë 32 inspektorë nga siguria dhe shëndeti në punë që sot janë klasifikuar tani më inspektorët bëjnë realizime të inspektimeve në gjithë territorin e Kosovës. Besojmë që në kuadër të profilizimit do të rritet mundësia e mbikëqyrja më rigoroze dhe më profesionale të bëhet…. Ne kemi shumë fushë-veprimtari të rrezikuar, por po filloj me i përmend këtu hynë ndërtimtaria, pastaj e kemi prodhimtarinë dhe në kuadër të prodhimtarisë e kemi edhe përpunimet…gjithsej në këtë periudhë sa po flasim për vitin 2025 i kemi 305 aksidente të cilat kanë ndodhur e që janë të rënda, 412 janë gjithsej pjesa tjetër më të lehta. Gjithsej, janë 13 vdekje në vendet e punës”, deklaroi Çerkini.
Drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Mehmet Krasniqi tha se siguria në vendin e punës dhe në rrugë nuk është luks, por nevojë jetike.
Ai tha se shumë punëtorë në Kosovë punojnë pa mbrojtje të mjaftueshme dhe pa trajnime adekuate.
“Siguria në rrugë dhe në vendin e punës nuk është luks por është nevojë jetike, është detyrim njerëzor dhe çdo ditë në Kosovë qindra mijëra njerëz dalin në rrugë drejtë punës, shkollës dhe familje. Ndërsa, mijëra punëtorë ngjiten në skele punojnë me makineri të rëndë ose punishte ose fabrika për të mbajtur ekonominë në lëvizje. Por, për fat të keq shumë prej tyre punojnë pa mbrojtje të mjaftueshme, pa trajnim adekuat dhe shpesh në kushte që rrezikojnë jetën e tyre”, tha ai.
Ndërsa, shefi i kabinetit të ushtruesit të detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Berat Ganiqi u shpreh se përmirësimi i sigurisë rrugore vazhdon të jetë sfidë e madhe.