AVONET pretendon se zv/drejtori i saj u kërcënua nga policët në Ferizaj

AVONET pretendon se zv/drejtori i saj u kërcënua nga policët në Ferizaj

Rrjeti i Organizatave Jo-qeveritare AVONET, po pretendon se mbrëmjen e kaluar (e premte), në Ferizaj, zëvendësdrejtori i tyre, Lorik Krasniqi është ndalur dhe më pas është kërcënuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Sipas AVONET, ndalimi i zyrtarit të organizatës u bë pa asnjë dyshim të arsyeshëm, pa ndonjë arsye ligjore dhe, siç thotë rrjeti, në kundërshtim flagrant me të gjitha standardet demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, ky rrejt i organizatave jo-qeveritare shton se zyrtarët policorë kanë përdorur edhe forcë fizike joproporcionale me rrethanat e rastit, transmeton Klankosova.tv.

“Këto veprime përbëjnë një abuzim të rëndë me detyrën, një akt të qartë të frikësimit institucional dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj zërit të shoqërisë civile që mbron të drejtat dhe interesin publik. Zyrtarët policor në mënyrë të habitshme ju janë drejtuar Zëvendës Drejtorit të AVONET, me fjalët ‘T’qaj veç e hap gojën edhe ni herë’”, thuhet në reagim.

“Zyrtarët policorë në fjalë, me deklaratat e tyre, kanë pranuar hapur se ndalimi i dy anëtarëve të AVONET-it është bërë pa ndonjë dyshim të arsyeshëm, gjë që vetëm sa e rëndon më tej situatën dhe dëshmon se në Policinë e Kosovës ka individë që operojnë jashtë kontrollit ligjor dhe etik, sepse ndalja nga Policia e Kosovës sipas ligjit pozitiv për policinë mund të bëhet vetëm me rastin e ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm. Kërcënimi ndaj një përfaqësuesi të një organizate të shoqërisë civile është jo vetëm i papranueshëm në një shtet që aspiron të ndërtojë demokraci funksionale, por përbën edhe vepër penale të dënueshme sipas, nenit 181 (kanosja) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo sjellje është pasqyrë e një kulture të rrezikshme të pandëshkueshmërisë dhe arrogancës institucionale, e cila duhet të marrë fund menjëherë”, thuhet tutje në reagim.

AVONET ka bërë me dije se ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës të nisë hetim të pavarur dhe të gjithanshëm për këtë rast.

Ndër të tjera, organizata ka kërkuar edhe nga Prokuroria që urgjentisht të trajtojë këtë rast.

Klankosova.tv ka parashtruar pyetje në Policinë e Kosovës lidhur me rastin, dhe është në pritje të përgjigjeve. /Klankosova.tv

The post AVONET pretendon se zv/drejtori i saj u kërcënua nga policët në Ferizaj appeared first on Klan Kosova.