Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla ka folur rreth seancës tronditëse gjyqësore të së enjtes ndaj Naim Murselit, Granit Plavës e Kushtrim Kokallës.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Syla tha se dëshmia e Granit Plavës, i akuzuar për ekzekutimin e Liridonës, sipas tij, kishte të bënte më shumë për t’i hedhur mjegull përfshirjes së Kushtrim Kokallës në rast, transmeton Klankosova.tv.
“Përveç provave materiale, tanimë edhe provat personale kanë filluar të rikonfirmohen, pra edhe deklaratat e palëve janë më të forta tani për tani, për shkak se përkundër që duket se ka një strategji në mes Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës për t’iu kundërvënë bashkërisht Naim Murselit dhe ta fajësojnë të njëjtin, disa fakte tanimë janë jokontestuese”.
“Granit Plava dhe Naim Murseli janë takuar në ditën kritike, kanë ble armën bashkë, kanë vazhduar për në Prishtinë bashkë, të dy kanë qenë të njoftuar se ku po shkojnë, Naim Murseli dhe Granit Plava para se me ndodh vrasja kanë shkuar te vendi ku është kryer vrasja, pra Naim Murseli i ka treguar Granit Plavës se ku do të kryhet vrasja. Edhe në restorant, në koordinim me njëri-tjetrin janë kthyer te vendi ku ka pasur me u kry vrasja. Naim Murseli, për t’i siguruar kohë Granit Plavës është ndalë në market, Granit Plava ka vazhduar në pjesën ku është planifikuar të ndodhte vrasja. Granit Plava i rikonfirmoi të gjitha këto fakte”, u shpreh Syla në Klan Kosova.
Ai shtoi se kryerja e krimit në sy të fëmijëve, e rëndon edhe më shumë çështjen.


