Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i brendshëm dhe avokat, ka komentuar rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut në Lipjan, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse dhe pamjet si shqetësuese.
Në një lidhje direkte në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, Hoxha tha se pamjet nga vendi i ngjarjes lënë përshtypjen e një ndërhyrjeje që mund të ketë qenë joprofesionale nga ana e policisë.
“Një pamje e shëmtuar. Në bazë të pamjeve mund të ketë një perceptim të përdorimit ndoshta jo profesional të policëve, sepse policia, me gjithë autorizimin për përdorimin e forcës, duhet në çdo rast të përmbushë tri kritere bazike: forca të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale”, theksoi ai, transmeton Klankosova.tv.
Sipas Hoxhës, përdorimi i forcës nuk guxon të tejkalojë qëllimin ligjor dhe duhet të përmbajë standarde të qarta.
“Policia e Kosovës nuk është e thirrur që të ndajë drejtësinë nëpër trotuare dhe nëpër udhëkryqet e rrugës së përbashkët të Republikës së Kosovës. Ata duhet t’i adresojnë shkelësit e ligjit te mekanizmat kompetentë dhe duke u sjellë në harmoni me kushtet dhe shtetin ligjor të Policisë së Kosovës”.
Ai shtoi se megjithëse pamjet janë “vërtet tronditëse”, nuk duhet nxituar në gjykime pa u zbardhur rasti plotësisht.
“Nuk duhet t’u hyjmë në hak zyrtarëve policorë. Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, duhet të presim rezultatin e hetimeve”, shtoi Hoxha.
The post Avokati Hoxha flet për rastin e të riut në Lipjan: Policia nuk është për të dhënë drejtësi në rrugë (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.