Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitëve të llojit “Anisakis simplex”, një dukuri e njohur ndërkombëtarisht në lloje të caktuara të peshkut.
Në njoftimin e lëshuar sot AUV thekson se prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje.
“Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm. Ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje , veçanërisht në përgatitje si “crudo”, sushi apo sashimi. Në këto raste, peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.
AUV thekson se kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, ShBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore.
Sipas AUV-it, këto standarde janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si:
- EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore);
- FAO (Organizata e OKB për Ushqim dhe Bujqësi). /Klankosova.tv
The post AUV: Prania e parazitëve ‘Anisakis simplex’ në peshk nuk paraqet rrezik appeared first on Klan Kosova.