AUV: Peshku i ngrirë me parazit është i sigurt për konsum

news image

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka deklaruar se prania e parazitit Anisakis simplex në peshq të ngrirë nuk përbën rrezik për shëndetin publik, për sa kohë që peshku gatuhet me temperaturë mbi 60 °C.

Në komunikatën e saj, AUV shpjegon se në tregun e Kosovës importohen peshq nga deti ose oqeani, të cilët gjatë përgatitjes mund të përmbajnë parazitë të këtij lloji:

“Në tregun e Kosovës gjendet peshk i ngrirë deti apo oqeani, i cili gjatë përgatitjes mund të shfaqë praninë e parazitëve të llojit Anisakis simplex – një dukuri e njohur ndërkombëtarisht në lloje të caktuara të peshkut”

AUV thekson se parazitët nuk përbëjnë rrezik në rastin e peshkut të ngrirë: “Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje”

Sipas autoritetit, peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60 °C: “Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60 °C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm”

Megjithatë, AUV paralajmëron që rreziku mund të ekzistojë për konsumimin e peshqve të freskët, pa trajtim me nxehtësi ose ngrirje, si në rastet e përgatitjeve “crudo”, sushi apo sashimi:

“Ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje … peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë … në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi”

AUV sqaron se këto udhëzime dhe standarde përfshihen edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si EFSA dhe FAO.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/