“Auditori s’mund të bëhet menaxher”, reagime për emërimin e Bllacës si u.d. i kryeshefit në Termokos (VIDEO)

“Auditori s’mund të bëhet menaxher”, reagime për emërimin e Bllacës si u.d. i kryeshefit në Termokos (VIDEO)

Nga personi kryesor që kontrollonte kuletën, në karrigen e shefit të Termokosit.

Kastriot Bllaca, i cili ka shërbyer si auditor i brendshëm në Ngrohtoren e Qytetit, nga 20 shtatori u emërua në krye të kësaj ndërmarrje, si ushtrues detyre.

E kjo po cilësohet e paprecedentë dhe rasti i parë që ka ndodhur në historinë e institucioneve publike në Kosovë, raporton Kiks Kosova.

Eksperti i auditimit, Lulzim Beqiri, ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si shkelje të pastër ligjore e thellësisht të gabuar në aspektin ligjor dhe etik.

Beqiri shton se një lëvizje e tillë mund t’i luhat themelet e integritetit institucional, duke ndikuar drejtpërdrejt në besueshmërinë e proceseve dhe kontratave, pasi sipas tij, auditori i brendshëm është hallka kryesore e parandalimit të keqpërdorimeve.

Sipas tij, Bordi i Drejtorëve ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke bërë një emërim të tillë.

Ai e ka cilësuar të udhës që në pozitën e U.D kryeshefit të ngrohtores së qytetit, të emërohet dikush nga menaxhmenti i afërt.

Sipas auditorit Beqiri, emërimi i Kastriot Bllacës në këtë pozitë, është i ndikuar politikisht, me qëllim që ndërmarrja të jetë nën kontrollin e partisë që udhëheqë në kryeqytet.

Ndërmarrja Publike “Termokos”, nga qershori i vitit 2008 është nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës.

The post “Auditori s’mund të bëhet menaxher”, reagime për emërimin e Bllacës si u.d. i kryeshefit në Termokos (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.