Monday, February 23, 2026
spot_img
HomeLajme“Aty s’hinë lugatat, as me maska”, përplasje për mbajtjen e të pamëve...

“Aty s’hinë lugatat, as me maska”, përplasje për mbajtjen e të pamëve pranë shkollës (VIDEO)

Një objekt publik në fshatin Sibofc të Obiliqit, i cili kishte qëndruar i mbyllur për gati dy dekada, është kthyer në qendër debati pasi banorët kanë vendosur ta shndërrojnë në hapësirë për mbajtjen e të pamëve dhe organizimeve të tjera të fshatit. Objekti ndodhet mes shkollës fillore dhe ambulantës së fshatit, çka ka nxitur reagime të kundërta mes banorëve.

Sipas kryetarit të fshatit, Afrim Mexhani, objekti ishte paraparë fillimisht të shërbente si zyrë e bashkësisë lokale, por që nga ndërtimi, rreth 20 vjet më parë, nuk ishte shfrytëzuar asnjëherë. Ai thotë se iniciativa për funksionalizimin e tij nuk përbën asnjë rrezik për nxënësit, përkundrazi, sipas tij, aktivitete të tilla janë pjesë e jetës normale të komunitetit.

Megjithatë, disa prindër shprehin shqetësim se mbajtja e ceremonive mortore pranë shkollës mund të ndikojë negativisht te fëmijët. Ata thonë se nxënësit mund të traumatizohen nga atmosfera e zisë dhe kërkojnë që iniciativa të ndalet.

Këto kundërshtime po konsiderohen të pakuptimta nga shumica e bashkëfshatarëve. Mexhani thekson se për çdo veprim është njoftuar kryetari i Komunës së Obiliqit dhe se asgjë nuk është ndërmarrë pa dijeninë e institucioneve. Ai shton se edhe kryetari i komunës, Halil Thaçi, nuk e sheh problem mbajtjen e të pamëve në këtë objekt.

Ndërkohë, drejtoresha e shkollës fillore “Migjeni” ka deklaruar se nuk është pajtuar me këtë iniciativë, por sipas saj, askush nuk e ka konsultuar paraprakisht. Megjithatë, kryetari i komunës thotë se nuk ka pengesa për funksionalizimin e objektit për këtë qëllim.

Debati ka marrë edhe dimension fetar e shoqëror. Hoxhë Osman Musliu vlerëson se mbajtja e të pamëve pranë shkollave nuk përbën asnjë të keqe, duke theksuar se vdekja është pjesë e pandashme e jetës dhe se fëmijët duhet të mësohen me këtë realitet. Sipas tij, janë dukuri të tjera, si droga dhe prostitucioni, ato që realisht e dëmtojnë rininë, e jo ceremonitë mortore.

Ndryshe mendon famullitari i Prishtinës, Don Agim Qerkini, i cili thotë se hapësirat për të pame nuk duhet të jenë pranë shkollave, por më afër varrezave ose objekteve fetare. Ai thekson se, sidomos në qytete, mungesa e hapësirave të përshtatshme për ngushëllime mbetet një problem serioz për familjet.

Në anën tjetër, tradita e odave vazhdon të jetë një zgjidhje për shumë familje në zona rurale. Në Harilaq të Fushë Kosovës, oda e Xhevdet Qeriqit është e hapur për të gjithë bashkëfshatarët, qoftë për gëzime, qoftë për raste mortore. Ai tregon se odat kanë qenë pjesë e pandashme e jetës së komunitetit dhe, ndonëse sot po zhduken gradualisht, ende shërbejnë si hapësira solidariteti dhe bashkimi.

Ndërsa në fshatra si Sibofci po merren iniciativa për funksionalizimin e objekteve publike të braktisura, në Mazgitin e Epërm të Obiliqit një objekt i ndërtuar pas luftës vazhdon të mbetet i shkatërruar dhe i pashfrytëzuar. Banorët atje thonë se fshati ka nevojë urgjente për një ambulantë ose një hapësirë komunitare dhe kërkojnë që objekti ekzistues të mos lihet në harresë.

Debati për mbajtjen e të pamëve pranë shkollave mbetet i hapur, mes shqetësimeve për ndikimin te fëmijët dhe nevojës për hapësira të përbashkëta komunitare, duke nxjerrë në pah mungesën e zgjidhjeve të qarta institucionale për këto çështje.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT