Një maje malore, kompania “Zhuti” ia ka vënë syrin që nga viti 2000.
Kjo për ta shndërruar atë zonë të gjelbër e cila ndodhet në Tërpezë të Vitisë, në gurthyes.
Arben Hashani, pronar i kompanisë, thotë se assesi nuk po mundet të marrë leje për të vazhduar me procedurat e tjera, raporton Kiks Kosova.
Këtë bllokadë, sipas tij, ndër vite e ka bërë mos formimi i Komisionit të Pavarur që do ta shqyrtonte këtë kërkesë.
E përveç ngecjes në Komisionin e Pavarur për Miniera e Minerale, sipas Hashanit, është Qeveria ajo që ka ndërprerë marrjen e lejes.
Por, siç duket, pronarit nuk i bëjnë përshtypje ankesat e shqetësimet e banorëve për gurthyesin.
I pyetur se gurthyesi mund të jetë shkatërrues për burimin e vetëm të ujit që banorët e Tërpezës së Vitisë kanë, ai ka mohur një gjë të tillë.
Madje, me bindje thotë se janë bërë vlerësimet nga ekspertët se punimet e gurthyesit nuk do të sillnin asnjë telash.
Pronari thotë se zona ku mendohet të bëhet gurthyes ka distancë të largët me fshatin.
Andaj, sipas tij, pretendimet e banorëve se mund të ndot edhe ajrin dhe Pishat e Tërpezës, nuk qëndrojnë.
Derisa, për caktimin e Pozhoranit si vendtakim për dëgjimin publik, pronari Kiks Kosovës i tha se është caktuar nga Ministria dhe kujt t’i dojë qejfi mund të vie.
Dëgjimi publik pritet të mbahet në fund të muajit gusht.
Kiks Kosova ka dërguar pyetje në drejtim të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, nëse kjo kompani ka bërë kërkesë për t’u pajisur me leje.
Nga ky komision kanë treguar se kompania në fjalë nuk ka parashtruar një kërkesë të tillë akoma. /Klankosova.tv
The post “Aty është buqallë, çfarë burimi ujit”: Gurthyesi s’i merr parasysh hallet e banorëve (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.