“Ato duhet t’i dëgjojnë mjekët”, thotë zëvendëspresidenti Vance – pasi Trump u rekomandoi grave shtatzëna të mos marrin paracetamol

"Ato duhet t'i dëgjojnë mjekët", thotë zëvendëspresidenti Vance - pasi Trump u rekomandoi grave shtatzëna të mos marrin paracetamol

Zëvendëspresidenti JD Vance tha të mërkurën se gratë shtatzëna duhet të mbështeten te mjeku i tyre për këshilla nëse duhet të marrin Tylenol (Paracetamol).

Deklarata e tij vjen pasi presidenti Donald Trump më parë këtë javë tha se gratë shtatzëna duhet të “luftojnë me të madhe për të mos e marrë” për shkak të lidhjeve të mundshme me autizmin.


Vance u pyet gjatë një interviste, se çfarë duhet të marrin gratë shtatzëna për dhimbjen, duke pasur parasysh komentet e presidentit, të cilat kanë tërhequr reagime nga ekspertët mjekësorë.

“Ajo që nxora nga njoftimi i presidentit dhe gjithashtu nga rekomandimet e CDC këtu është se thjesht duhet të jemi të kujdesshëm. Ne e dimë që disa nga këto ilaçe kanë efekte anësore. Ne e dimë që edhe pavarësisht këtyre efekteve anësore, ndonjëherë ato janë të nevojshme”, ka thënë Vance, baba i tre fëmijëve të vegjël.

“Pra, udhëzimet e mia për gratë shtatzëna do të ishin shumë të thjeshta, që është të ndiqni mjekun tuaj. Apo jo? Bisedoni me mjekun tuaj për këto gjëra”, shtoi Vance.

Zëvendëspresidenti theksoi rastet kur fëmijët e tij ishin të sëmurë dhe ata menduan t’u jepnin Tylenol, por një mjek paralajmëroi se efektet anësore mund të mos ia vlejnë në raste të veçanta.

Por ai pranoi se dikush me temperaturë të lartë do të “duhet të marrë diçka për t’u përballur me këtë”.

“Pra, unë me të vërtetë mendoj se është sipas rastit”, theksoi Vance. “Por nëse e shikoni pak më larg, argumenti themelor që po bën CDC, që po bën [Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore] Bobby Kennedy, është se këto ilaçe kanë efekte anësore. Dhe ne duhet ta ndjekim shkencën kudo që të çon”.

“Dhe në disa raste, kjo do të thotë se ndoshta duhet të jemi pak më të kujdesshëm me disa nga këto ilaçe. Mendoj se të qenit pak më i vëmendshëm ndaj këtyre efekteve anësore është një gjë e mirë për të gjithë”, shtoi ai. “Por në fund të fundit, nëse duhet të merrni diçka është shumë specifike për kontekstin, dhe kjo është arsyeja pse mendoj se duhet të mbështeteni te mjeku juaj”.

Trump dhe zyrtarët e lartë të shëndetësisë mbajtën një konferencë për shtyp të hënën ku thanë se gratë shtatzëna nuk duhet të marrin acetaminofen, përbërësin aktiv në Tylenol, për lehtësimin e dhimbjes për shkak të një rreziku potencial të autizmit, pavarësisht se nuk ka prova të reja që vërtetojnë se ilaçi shkakton drejtpërdrejt një gjendje të tillë.

Presidenti tha vazhdimisht “mos merrni Tylenol” dhe rekomandoi që gratë shtatzëna të kufizojnë përdorimin e acetaminofenit përveç në rast të një temperature jashtëzakonisht të lartë – “nëse nuk mund ta përballoni”. /Telegrafi/