“Atmosfera të hynte nën lëkurë si në derbi”, ylli i Sllovenisë përgëzon lojtarët për paraqitjen ndaj Kosovës

“Atmosfera të hynte nën lëkurë si në derbi”, ylli i Sllovenisë përgëzon lojtarët për paraqitjen ndaj Kosovës

Mesfushori i Sllovenisë Timi Max Elsnik është shprehur i zhgënjyer pas barazimit në Prishtinë, duke pranuar se ekipi i tij bëri një paraqitje të mirë, por pa arritur ta konkretizojë me gola.

Sllovenia dominoi në “Fadil Vokrri”, megjithatë rezultati përfundimtar doli të jetë 0-0.


Pas ndeshjes për “Sport TV”, Elsnik deklaroi se kanë marrë lëvdata nga trajneri për paraqitjen e dhënë por beson se merituan pikët e plota.

“Një ndeshje shumë e vështirë në transfertë. Pakkush ka dominuar këtu aq sa ne, prandaj morëm edhe lëvdata nga trajneri. Por në fund, gjithçka shkoi kot, sepse topi nuk përfundoi në rrjetë”.

“Kishim raste dhe donim fitoren, e cila do ta bënte punën tonë shumë më të lehtë për vazhdimin. Por asgjë nuk ka mbaruar — ecim përpara, kemi edhe tre ndeshje përpara nesh. Duhet të mbetemi sa më optimistë. E pamë që kur luajmë lirshëm, mund të tregojmë futboll të mirë”.

Elsnik gjithashtu e pranoi se atmosfera në kryeqytetin kosovar ishte e zjarrtë dhe aspak e lehtë për t’u përballuar:

“Një ambient i pakëndshëm, të hyn nën lëkurë. E ngjashme me një derbi ndaj Olimpijas në ‘Ljudski vrt’. Por është gjithmonë më mirë të luash para një stadiumi të mbushur plot, sesa para shkallëve gjysmë bosh. Të hënën shpresojmë që Stozice të jetë plot për të na mbështetur kundër Zvicrës”.

Edhe trajneri Matjaz Kek ndau të njëjtin zhgënjim, duke theksuar se Sllovenia humbi dy pikë të vlefshme.

“Nuk po e heq dot ndjesinë se humbëm dy pikë, sidomos pas pjesës së dytë. Pati shumë gabime teknike dhe nervozizëm. Në pjesën e parë dominuam, krijuam raste dhe treguam vullnet, besim e karakter. E qetësuam atmosferën, por në fund llogariten pikët — dhe sot humbëm dy”.