Asllani thyen heshtjen, flet pas kalimit te Torino: Ata më donin me të vërtetë…

news image

Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani beson se ka bërë zgjedhjen e duhur me transferimin te Torino, ndërsa thekson se identiteti i tij shqiptar e bën të ndjehet krenar për të përfaqësuar vendin e tij në arenën ndërkombëtare.

Asllani ishte transferimi më i komentuar i Torinos në afatin e fundit kalimtar, duke surprizuar shumë me largimin e tij nga Interi.

I pyetur për arsyet e zgjedhjes së Torinos, mesfushori theksoi besimin që ka pasur në projektin e klubit italian.

“Sinqerisht, desha të vija te Torino sepse besoja në këtë projekt. Ata më donin me të vërtetë, prandaj vendimi ishte i lehtë. Sigurisht, ditët e fundit ishin stresuese sepse isha te Interi dhe kisha shumë oferta”, tha Asllani, duke shpjeguar se fillimisht kishte pasur frikë për t’u larguar menjëherë, por se gjeti projektin e duhur që do ta ndihmonte.

“Fillimisht, isha i shqetësuar për të lënë Interin, sepse doja një projekt që të më ndihmonte. Kisha shumë oferta, por jam i lumtur që më donin këtu”, shtoi ai.

Asllani foli edhe për lidhjet e tij të ngushta me Shqipërinë, pavarësisht se është rritur në Itali.

“U linda në Shqipëri dhe erdha këtu në Itali kur kisha dy vjeç. Babai erdhi i pari, pastaj nëna dhe më vonë unë. Shqipëria ka shumë rëndësi për mua sepse luaj për kombëtaren dhe tifozët aty janë të mrekullueshëm. Gjyshërit janë ende atje, prandaj kur kam kohë shkoj t’i vizitoj. Kujdesemi shumë për familjen, prandaj Shqipëria është shumë e rëndësishme për mua”, tha ai.

Kur u pyet për ndeshjen Shqipëri-Itali, Asllani theksoi se ndjenja ishte e veçantë dhe emocionuese.

“Zgjodha të përfaqësoj Shqipërinë sepse jam shqiptar, por ndeshja me Italinë ishte e shkëlqyer për mua. Mezi prisja të dilja në fushë. Luajta kundër bashkëlojtarëve që kisha te Interi dhe kundër shumë djemve që i njihja. Ishte një ndjenjë fantastike”, përfundoi Asllani.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/