ASK publikon të dhënat për mbeturinat e trajtuara, më shumë deponim – pak riciklim

ASK publikon të dhënat për mbeturinat e trajtuara, më shumë deponim - pak riciklim

Sipas të dhënave të Anketës mbi Mbeturinat e Trajtuara (AMT) për vitin 2024, sasia e përgjithshme e mbeturinave të trajtuara dhe të deponuara ka arritur në 526 143 ton që paraqet një rritje prej 1,5% krahasuar me vitin 2023 (që ishin 518 592 ton).

Nga kjo sasi:


  • Mbeturinat e deponuara që kryesisht përfshijnë mbeturinat nga ekonomitë familjare dhe aktivitetet e ngjashme kanë arritur në 502 917 ton, ose 95,6% të totalit të mbeturinave të trajtuara.
  • Mbeturinat e ricikluara kanë arritur në 22 014 ton që përbëjnë 4,2% të totalit të mbeturinave të trajtuara.
  • Mbeturinat e sterilizuara (medicinale/spitalore) kanë arritur në 1 212 ton që përfaqësojnë 0,2% të totalit të mbeturinave të trajtuara.

Mbeturinat e trajtuara sipas llojit për vitin 2024/t

Mbeturinat e trajtuara sipas llojit dhe trajtimit

Sasia e mbeturinave të trajtuara sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje për vitin 2024 ishte: Mbeturinat nga plastika (17,0%); Mbeturinat nga metalet (28,0%); Mbeturinat medicinale-spitalore (5,2%); dhe Mbeturinat nga letra dhe kartoni (49,8%).

Mbeturinat e trajtuara 2024 (%)

Mbeturinat e deponuara

Sasia e përgjithshme e mbeturinave të deponuara në deponitë e licencuara në vitin 2024 ishte 502 917 ton, duke shënuar një rritje të lehtë prej 2,6%, krahasuar me vitin 2023. Sipas rajoneve, deponia sanitare në Prishtinë (Mirash) ka pranuar sasinë më të madhe të mbeturinave (190 513 ton) që përbën 37,9% të totalit të mbeturinave të deponuara në vend.

Mbeturinat e grumbulluara në deponitë e licencuara për vitin 2024/t

Mbeturinat e deponuara, 2024 (%)

Rezultatet e prezantuara në këtë publikim përbëjnë një burim të rëndësishëm statistikor për vlerësimin e gjendjes aktuale në sektorin e mbeturinave në vend.