Në qarkun e Shkodrës ka vijuar operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në territoret e 6 njësive administrative, u gjetën dhe u asgjësuan 4291 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Procedohen penalisht 5 kryetarë fshatrash, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve:
-në territoret e njësive administrative Pult, Ana e Malit, Shosh dhe Shalë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4107 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Nënmavriq, shtetasin L. L.; kryetarin e fshatit Pecaj, shtetasin D. V,; për kryetarin e fshatit Gimaj, shtetasin P. Sh.; për kryetarin e fshatit Abat, shtetasin N. M.; për kryetarin e fshatit Lekaj, shtetasin P. S.
-në territorin e njësisë administrative Shkrel, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 60 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
-në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 124 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër. /Telegrafi/