Asgjë nuk përjashtohet nëse ndonjë aeroplan rus shkel hapësirën ajrore evropiane – thotë Macron

Asgjë nuk përjashtohet nëse ndonjë aeroplan rus shkel hapësirën ajrore evropiane - thotë Macron

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë të mërkurën se nuk e përjashton rrëzimin e ndonjë aeroplani luftarak rus nëse ai do të shkelte hapësirën ajrore evropiane.

Gazeta e përditshme gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung në një intervistë e pyeti presidentin francez nëse ai ishte “në favor të rrëzimit të një aeroplani luftarak rus nëse ai hyn në hapësirën ajrore evropiane pa autorizim”.


“Në përputhje me doktrinën e paqartësisë strategjike, mund t’ju them se asgjë nuk përjashtohet”, u përgjigj Macron, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Pasi Rusia u fajësua për inkursionet me dronë në vendet anëtare të NATO-s, Poloni dhe Rumani, Macron javën e kaluar tha se përgjigja e aleancës do të duhej të “përmirësohej” në rast të “provokimeve të reja” nga Moska.

Ministria e mbrojtjes e Rumanisë theksoi muajin e kaluar se hapësira ajrore e vendit ishte shkelur nga një dron gjatë një sulmi rus ndaj infrastrukturës në Ukrainën fqinje.

Polonia, anëtare e NATO-s, tha gjithashtu muajin e kaluar se kishte rrëzuar dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore ndërsa Moska nisi një breshëri sulmesh kundër Ukrainës.

Macron më herët të mërkurën tha se Franca po hetonte një tanker nafte të lidhur me Rusinë, të sanksionuar nga BE-ja, të ankoruar në brigjet franceze, për atë që ai i quajti “shkelje të rënda”.

Anija Boracay, një anije me flamur të Beninit, është futur në listën e zezë të Bashkimit Evropian për shkak se është pjesë e “flotës në hije” të Rusisë që shkel sanksionet.

Sipas faqes së specializuar të internetit The Maritime Executive, anija dyshohet se është përfshirë në fluturime misterioze me dronë që ndërprenë trafikun ajror në Danimarkë në shtator. /Telegrafi/