E martë, 15 Korrik, 2025
spot_img
HomeLajme“As Beogradi s’kish ditë me ma bo kështu” – Gardiani u dënua...

“As Beogradi s’kish ditë me ma bo kështu” – Gardiani u dënua vetëm pse e njihte Faton Hajrizin (VIDEO)

Më 21 nëntor 2007, mori një telefonatë nga puna se duhet të marrë një dokument. Imer Shala i cili punonte në Burgun e Dubravës si oficer korrektues, u nis për të shkuar aty.

Mirëpo, 64-vjeçari nga fshati Penishtë e Istogut, nuk e dinte se atje do të arrestohej nga Njësia Speciale porsa të mbërrinte aty diku rreth orës 10:00.

Imer Shala po akuzohej se ka ndihmuar shtatë të arratisurit të udhëhequr nga Faton Hajrizi më 18 gusht 2007.

Shala e kujton atë ditë sikur ta përjetonte sot. Djalin 11 vjeç e kishte marrë me vete, pasi nga aty do ta dërgonte tek mjeku. Ai thotë se djali kishte mbetur i vetëm në veturë për orë të tërë, dhe babanë e tij e pa pasi doli me pranga të vendosura nga policia.

Shala akuzohej se kishte ndihmuar për arratisjen e grupit duke e futur një armë në burg, të cilën i burgosuri Faton Hajrizi do ta përdorte për t’i kërcënuar gardianët teksa arratisej.

E këtë sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, e kishte bërë së bashku me Izet Haxhizekajn i cili punonte në një Njësi jashtë burgut.

Mirëpo, këto pretendime të prokurorisë të cilat edhe gjykata nuk ka arritur t’i vërtetojë i ka mohuar edhe vetë Imeri.

Dyshimet kishin nisur për faktin se gardiani Imer Shala, kishte biseduar përmes telefonit me të burgosurin Faton Hajrizi disa ditë para se të ndodhte arratisja.

Shala nuk e ka mohuar se ka biseduar përmes telefonit, mirëpo një gjë e tillë në burg ka qenë e zakonshme, derisa ka mohuar se bisedat kanë pasur lidhje me futjen e armës në burg.

Por, në vitin 2014, Imeri dhe të tjerët ishin liruar nga këto akuza në mungesë të provave. Kjo ishte bërë pasi Imer Shala kishte qëndruar në paraburgim për 1 vit e disa ditë.

Koha në paraburgim e la me trauma, të cilat edhe tash pas 18 vitesh akoma i vuan.

Zhgënjimin më të madh e përjetoi pasi doli nga paraburgimi. Me shpresën se pasi gjykata i shpalli të pafajshëm do të ktheheshin për t’i ruajtur muret e burgut. Një gjë e tillë nuk ndodhi edhe pas gati dy dekada luftë me institucionet e shtetit.

Shala kishte punuar atë kohë për 158 euro rrogë, derisa për rrezikshmëri i kishte marrë 50 euro. Pasi ishte shpallur i pafajshëm kishte kërkuar që të kompensohet me dëmshpërblim.

Ai ka marrë kompensim gati 5 mijë euro vetëm për pjesën sa ka qëndruar në paraburgim.

Derisa përmes avokatit të tij, Haxhi Millakut, Imeri kishte bërë padi për t’u rikthyer në vendin e punës më 2015, një vit pasi gjykata e kishte shpall jo fajtor.

Por që nga ajo kohë deri sot ai ka mbetur i papunë në prag të pensionit duke u endur në dhomat e gjykatave për të kërkuar drejtësi.

Pritja për dëmshpërblim pas pasi kishte dalë nga burgu vazhdon edhe sot por pa ndonjë epilog gjyqësor.

The post “As Beogradi s’kish ditë me ma bo kështu” – Gardiani u dënua vetëm pse e njihte Faton Hajrizin (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT